Tema e Vllaznisë së femrave është kthyer në çështje dite së fundi në Shkodër dhe jo vetëm. Dorëheqja e presidentit Lazer Matija nga drejtimi i saj kanë vënë seriozisht në pikëpyetje të ardhmen e këtij ekipi.
Së fundi ndërkohë u përfol për mundësinë e marrjes së presidencës nga Ergi Axhani i cili siç dihet është njëkohësisht edhe president i KF Shiroka, por duket se gjërat nuk kanë shkuar ashtu si duhet dhe për rrjedhojë një hipotezë e tillë ka rënë poshtë.
Në këto rrethana ka ende shumë paqartësi për të ardhmen e kësaj skuadre, ndonëse sot është hedhur shorti i kampionatit të ri dhe Vllaznia është përfshirë në kalendarin e saj, por pa patur një konfirmim përfundimtar nëse do të marrë pjesë apo jo.
Dilemat janë të mëdha se çfarë do të ndodhë me këtë ekip 13 herë kampion i vendit. Për momentin nuk ka asnjë garanci nëse do të marrë pjesë apo jo në kampionat. Ndeshja e parë është javën e ardhshme ndaj Atletik Klub dhe në ditët në vijim do të mësohet më shumë në lidhje me këtë çështje.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


