Nëse Vllaznia nuk ka treguar formën e duhur në dy ndeshjet e para të kampionatit, faji mund të jetë edhe I ndeshjeve miqësore që kemi zhvilluar në prag të nisjes së ndeshjeve zyrtare. Kjo është deklarata që del nga goja e kapitenit të kësaj skuadre Elvin Beqiri. Ai mendon se kuqeblutë janë gjendur disi të papërgatitur për të përballur forcën e Skënderbeut në javën e parë, por pse jo edhe Kukësin në të dytën. Për këtë arsye, mendimi I tij është se para nisjes së kampionatit, duhej të ishin zhvilluar miqësore me kundërshtarë më seriozë.

“Kur njeriu është I qetë dhe I analizon gjërat me hollësi, konstaton që dy ndeshjet e para të kampionatit nuk I kemi përgatitur ashtu siç duhet. Ndoshta ngaqë kemi zhvilluar miqësore me ekipe të kategorisë së parë dhe asnjë takim me një ekip cilësor për të matur realisht forcën tonë. Unë mendoj se këtu kemi gabuar megjithatë ndryshe janë bërë planet nga ana e stafit drejtues dhe prandaj u gjendëm disi të papërgatitur në takimet e para. Kur luan një miqësore me një kundërshtar të fortë, fillon të përgatitesh edhe për ta përballur ndeshjen e kampionatit me atë forcë ndërsa ne na ndodhi e kundërta”-ka thënë mbrojtësi shkodran që mban edhe shiritin e kapitenit tek kjo skuadër. Elvin Beqiri luan në repartin e mbrojtjes, repart ky që ka marrë jo pak kritika sidomos në ndeshjen e parë me Skënderbeun. Edhe vetë ai ka marrë kritika për paraqitje. Ish-mbrojtësi I kombëtares shqiptare e pranon përgjegjësinë e tij, merr mbi shpinë edhe pjesën e gabimeve të veta megjithatë nuk mendon se gjërat duhen analizuar në një mënyrë të tillë. “Unë e kam thënë edhe para skuadrës dhe para trajnerit se marr përgjegjësitë e mia për gabimet e bëra në ndeshjen me Skënderbeun por mendoj se gjërat nuk duhen analizuar në këtë mënyrë. Nëse gabon një mbrojtës edhe mund të ndodhë por Vllaznia mendoj unë se nuk ka luajtur mirë në fazën mbrojtëse. Nuk duhet të ndalemi tek emrat apo repartet. Mbrojtja jonë duhet të fillojë nga sulmi dhe rrjedhimisht edhe sulmi duhej të nisë nga mbrojtja. Kemi vuajtur paksa në harmonizimin e reparteve ngaqë kanë ardhur thuajse një formacion I tërë nga merkatoja”- ka shtuar më tej Beqiri. Tashmë këto gabime janë analizuar me hollësi nga stafi dhe futbollistët dhe janë nxjerrë mësimet e duhura për ndeshjen e ardhshme, atë që do luajë të dielën ndaj Luftëtarit. Kapiteni kuqeblu e pranon se Vllaznia nuk e ka luksin të nënvlerësojë asnjë kundërshtar prandaj shton: “E vlerësojmë maksimalisht këtë ndeshje por edhe atë me Apoloninë që vjen pas saj. Në letër kalendari duket I favorshëm por ne nuk I kemi kushtet të nënvlerësojmë asnjë kundërshtar. Nuk jemi duke kaluar një moment të mirë dhe prandaj na duhet të fitojmë për të bërë kthesën e duhur. Jam I bindur se kjo kthesë ka për të ardhur dhe Vllaznia do jetë ndër ekipet e mira të kampionatit”. Një shprehje e fundit që I lë me shpresë edhe tifozët shkodranë për një skuadër më të mirë në javët e ardhshme dhe kur e thotë kapiteni, atij I duhet besuar.
Gjergj KOLA