Vllaznia në volejboll për femra pëson një tjetër humbje në kampionat, këtë herë ndaj Partizanit. Ndeshja në mes këtyre dy skuadrave është luajtur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës dhe është fituar nga miket me rezultatin 3-1.
Duhet thënë se vajzat shkodrane kanë bërë një paraqitje të mirë duke qenë konkurruese në të katër setet, por kjo nuk u ka mjaftuar për të marrë qoftë edhe një pikë ndaj këtij kundërshtari. Partizani e ka nisur me vrull duke e fituar setin e parë të ndeshjes me shifrat 25-21.
Më pas edhe të dytin 25-20 dhe kjo krijoi përshtypjen se do ta mbyllte shpejt ndeshjen, por nuk do të ndodhte kështu sepse Vllaznia hyn në lojë dhe fiton setin e tretë 25-22 duke u munduar të ketë edhe ajo shanset për fitoren e ndeshjes.
Por nuk do të ndodhte kështu pavarësisht përpjekjeve të vendaseve sepse volejbollistet e kuqe fitojnë 25-20 në setin e katërt dhe kështu e mbyllin të gjithë ndeshjen me rezultatin 3-1 duke marrë një trepikësh me shumë vlerë në këtë transfertë të Shkodrës.
Ndërkohë Vllaznia pëson humbjen e pestë në gjashtë ndeshje të luajtura (ka fituar vetëm me Korabin) dhe mban vendin e gjashtë në renditje. Kuptohet që nuk mund të pretendojë më shumë për vetë kontigjentin e lojtareve që trajneri Tafa ka në dispozicion.(www.shkodrasport.com)