Të hënën e ardhshme, Shoqata e Futbollistëve Spanjollë do të festojë edicionin e dytë të “AFE Awards”, ceremonia e ndarjes së çmimeve, e cila do të shpërblejë lojtarët më të mirë të sezonit të kaluar. Këto çmime janë caktuar nga votat e vetë lojtarëve në secilën kategori.

Kjo do të thotë se fituesi i më të mirëve të La Ligës këtë vit është Vinicius, ndërsa në Kategorinë e Dytë, ky çmim shkon për Myrto Uzunin, mesfushorin e Kombëtares shqiptare që luan për ngjyrat e Granadës. Po ashtu, lojtarja më e mirë në futbollin e femrave në Spanjë është Karolinë Ueir e Real Madridit.


MË TË MIRËT E SEZONIT

Ndoshta ndeshjet e fundit dhe këtë nisje sezoni po lihet në hije nga paraqitjet e Bellingamit, por duhet kujtuar se Vinicius Xhunior sezonin e kaluar ishte një nga lojtarët më të mirë të Real Madridit. Anësori shënoi 10 gola dhe 10 asiste në kampionat dhe nga votat e lojtarëve të La Ligës, ka marrë çmimin si lojtari më i mirë i sezonit, çmim që do t’i dorëzohet të hënën që vjen. Kështu, e njëjta vlen edhe për Myrto Uzunin. Futbollistët e ligës së parë spanjolle kanë votuar dhe kanë nxjerrë si lojtarin më të mirë të sezonit të kaluar, Myrto Uzunin.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare arriti të shënonte 23 gola në kampionat, duke u shpallur edhe golashënuesi më i mirë i ligës. Ai po ashtu regjistroi edhe 5 asiste, por edhe paraqitje të shkëlqyera, të cilat ndihmuan ekipin e Granadës që të ngjitej në elitë, teksa i mundësoi atij edhe një rinovim të kontratës me kushte shumë më të mira dhe të ardhura më të larta. Ndërkohë performanca e beratasit në La Liga vijon të jetë pozitive, pavarësisht rezultateve jo fort të mira që po merr ekipi i tij.

Duke ditur edhe shkallën e vështirësisë, që patjetër është më e lartë, deri tani Uzuni ka shënuar 4 gola në 11 ndeshje të luajtura. Rrjeta e fundit ishte para dy ditësh ndaj Vijarrealit, ku me një veprim mjeshtëror në zonë, “dehu” mbrojtësin kundërshtar dhe shumë thjeshtë shënoi me të majtën.

3 GOLA në shtëpi dhe një jashtë fushe ka shënuar Myrto Uzuni këtë sezon në La Liga. Ai ka prekur rrjetën e Majorkës, Gironës dhe Vijarrealit dhe në transfertë ndaj Almeriës. 5 VITE ka Myrto Uzuni që është pjesë e Kombëtares shqiptare. Sulmuesi ka debutuar në vitin 2018 nën urdhrat e Kristian Panuçit në një miqësore ndaj Jordanisë.