Endri Vrapi, ish-lojtar i spikatur i disa skuadrave të njohura në Superiore dhe i ekipit tonë kombëtar analizon ecurinë e Superiores, por edhe ish-skuadrat ku ka luajtur. Ai ndalet te gara për titull, por edhe mbijetesa.

Nga Vllaznia e para e deri te Skënderbeu, Endri Vrapi bën “skanerin” e garës deri më tani, tashmë si trajner. Mëngjarashi, për “Vipsport.al”, ndalet edhe tek lojtarët që po spikatin në këtë kampionat dhe shpalos ambiciet që ka për të ardhmen e afërt si trajner, pse jo në një ekip elitar…


-Si e sheh Vrapi këtë garë të Superiores, Vllaznia në javët e fundit ka “harruar” të fitojë, Partizani e Laçi në ngjitje…

Sa i përket Vllaznisë, tani që i duhen fitoret nuk po i merr. Dhe në fillim nuk ishte pretendente dhe kundërshtarët nuk e shikonin Vllazninë si pretendente, por tani që lufta është bërë e fortë dhe Vllaznia duhet të tregoj forcën reale, duke mos pasur shumë futbollistë që s’e kanë provuar të qenit kampionë është pak e vështirë, sepse në këto momente duhet të dalin kampionët që ta marrin Vllazninë dhe ta çojnë drejt suksesit.

E kundërta ndodh me Partizanin që para dy vitesh mori kampionatin dhe ka ruajtur disi grupin që u shpall kampion dhe duke afruar lojtarë që kanë dal kampion dhe besoj që do jetë rivali direkt i Vllaznisë që do ndajnë dhe kampionatin me ndeshjet direkte.

-Po Teutën e sheh në garën për titull duke qenë se këtë sezon kanë hedhur kandidaturën seriozisht për trofeun më të rëndësishëm?

Sa i përket Teutës është e etur për kampionatin se me investimet e bëra ka treguar që duhet të jetë një nga 3 pretendentët kryesorë për titullin kampion dhe që unë besoj se nuk do të dorëzohet lehtë deri në fund të kampionatit, sepse pavarësisht renditjes për çdo ekip është një kockë shumë e fortë.

-Po Kukësi?

Për Kukësin them që ky vit nëse është në Kupat e Europës, besoj që do e mbylli me sukses vitin edhe pse çdo vit është në Europë. Por gara deri më tani është e vështirë, sepse janë 6 ekipe për 4 vende dhe Kukësi nuk besoj që nuk do jetë protagonist…


– Gara për mbijetesë e ndezur, Skënderbeu nga një ekip që ka bërë historinë këtë sezon po e ka të vështirë edhe mbijetesën…?

Për Skënderbeun nuk mund të them asgjë vetëm më vjen keq që e shikoj poshtë sepse është ekipi që bëri historinë këtë 10-vjeçar dhe shpresojmë që të ringrihet sa më shpejtë.


-A ke pasur oferta për të drejtuar skuadra, nga ke dëshirë që ta nisësh si trajner i parë?

Të them të drejtën, për momentin jam fokusuar te Shkolla e Mjeshtërisë Sportive “Loro Boriçi” dhe kam ekipin U-17 profesionist dhe besoj që të hipësh në “gradaçel” duhet të ngjitesh me shkallë dhe jo me ashensor, kështu që kemi filluar gradualisht që të ngjisim shkallët e karrierës së trajningut, në mënyrë që të jemi aty ku duam në kohën dhe momentin e duhur.

-Si trajner kush lojtar të ka bërë përshtypje, si zbulim këtë sezon?

Të them të drejtën po më pëlqen forma e disave. Por ato që duhet të them janë: Çinari, Lorencio Vila, Mazrekaj nga të afirmuarit, ndërsa tek të rinjtë besoj se do të duhet shumë punë, sepse talente ka, por emrat do i zbulojmë në fund të sezonit, sepse nëse flasim mbase i bëjm keq …./vipsport/