Erion Vucaj është i pavendosur për të ardhmen. Shkodrani edhe pse po vijon përgatitjet me Laçin, ku edhe është kapiten, pritet që pas disa kohësh të përcaktojë se ku do të luajë për edicionin e ri. Në Shkodër e duan me çdo kusht, por vetë mesfushori duket i dyzuar. Në një deklaratë të dhënë për gazeten, ai shprehet: “Nuk kam vendosur ende mbi të ardhmen time nëse do të vij apo jo në Shkodër. Nuk është se nuk më pëlqen, por do të shoh edhe mundësitë e tjera”. Me sa duket, shkodrani kërkon të presë për të thënë një fjalë të fundit për të ardhmen e tij te skuadra shkodrane.
Ofertat Ofertat për Vucajn nuk kanë munguar nga ekipet e Superligës, por me sa mësohet premtimi për të ardhur në Shkodër duket se i ka larguar paksa ato nga ky lojtar. Megjithatë në adresë të këtij lojtari nuk ka munguar edhe interesimi nga jashtë vendit. Mirëpo vetë futbollisti nuk do që të flasë për këtë temë, sepse për të ajo që vlen aktualisht është pjesëmarrja dinjitoze e skuadrës së kurbinasve në Kupat e Europës. “Kam oferta, por nuk do të them asgjë publikisht. Të përfundojnë njëherë takimet e Ligës së Europës, më pas do të vendos. Natyrisht, dëshira që të luaj jashtë vendit është e madhe, gjithsesi të presim dhe më pas do të flas”, – thotë Vucaj.
Të tjerët Por Vucaj nuk është i vetmi emër shkodran që po kërkohet nga drejtuesit e klubit në këtë periudhë merkatoje. Ka edhe shumë të tjerë, ku spikasin Lika, Gocaj, apo Raboshta me Bocin. Veçse deri më tani asnjë prej tyre nuk e ka thënë fjalën e fundit për të ardhmen, nëse do të jenë të Vllaznisë për sezonin e ardhshëm. Të gjithë me sa duket po presin të mësojnë ofertat e tjera dhe pastaj të vendosin për të ardhmen. Lika mësohet se, veç ofertës që ka për t’u huazuar për Europën te Skënderbeu, mund edhe të firmosë në Korçë edhe për sezonin e ardhshëm. Ndërsa për Gocajn dhe të tjerët drejtuesit e klubit kanë mbetur vetëm me një takim. Megjithatë mendohet se pas muajit qershor mund të ketë zhvillime konkrete.
ADMIR URUÇI