Kur ndeshen me njëri- tjetrin dy kundërshtarë shumë serioz siç janë Vllaznia dhe Skënderbeu, aq më tepër në javën e parë të kampionatit, nuk mund të presësh gola shumë. Ky është mendimi I portierit të Vllaznisë, malazezit Miroslav Vujadinoviç. Duke folur në lidhje me ndeshjen e sotme, gardiani kuqeblu do shprehte njëkohësisht edhe besimin për fitore të skuadrës së tij. Ai e ka thënë hapur këtë gjë në prononcimin e tij kur ka thënë:

“Kam shumë besim tek fitorja. Jemi përgatitur seriozisht për nisjen e këtij kampionati. Në skuadër kanë ardhur shumë lojtarë të mirë dhe tashmë mbetet vetëm të marrim frutet e punës së bërë. Unë e konsideroj një ndeshje shumë të vështirë. Luajmë ndaj skuadrës kampione, që ka në përbërje sërish lojtarë shumë të mirë e po ashtu edhe një trajner si Josa megjithatë këto nuk do na pengojnë të kërkojmë fitoren në këtë ndeshje. Dëshira është e madhe për ta fituar këtë ndeshje megjithatë të shohim. Gjykimi im është se do jetë një ndeshje e kujdesshme për të dy ekipet dhe do ketë pak gola gjatë 90 minutave të saj. Mund të vendosë fatin e takimit një gol I vetëm. Shpresoj që këtë gol ta shënojmë ne dhe të fitojmë”. Portieri 29 vjeçar nga Podgorica nis kësisoj sot sezonin e tij të tretë me Vllazninë. Ai është ambjentuar mjaft mirë tek kjo skuadër, është një njeri shumë I dashur edhe për tifozët të cilët e kanë mbështetur vazhdimisht. Raporti I tij me ta ka qenë gjithnjë I mirë dhe në këtë kontekst ai është shumë I kënaqur. Duke iu rikthyer edhe njëherë tjetër ndeshjes me Skënderbeun, ai deklaron se pavarësisht që luhet ndaj kampionëve në fuqi, kjo nuk do të thotë se skuadra e tij nuk duhet ta mendoj fitoren. “Kam besim tek fitorja sepse jemi në një moment të mirë. Pastaj për nga natyra e kam të jem optimist. Për mua njëlloj është sikur të luaj ndaj Skënderbeut, si ndaj Kukësit, Palermos apo dhe Buduçnostit, skuadrës time me të cilën jam rritur. Tashmë jam pjesë e Vllaznisë dhe bëj tifo fort për të”-ka vazhduar në prononcimin e tij Vujadinoviç. Në portë ai sigurisht që është gjithnjë titullar dhe kjo nuk ka as më të voglin dyshim. Shtatëlarti nga Podgorica është një garanci e madhe për skuadrën shkodrane në mes trarëve të portës dhe I tillë pritet të jetë edhe në ballafaqimin e sotëm. Vetë ai thotë se fatin e kësaj ndeshje do ta vendosë një gol I vetëm dhe ndoshta protagonist kryesorë do jenë edhe portierët. A ka një duel në distancë në mes tij dhe Shehit të Skënderbeut? Në fakt edhe gjatë sezonit të kaluar, ata kanë qenë dy ndër më të mirët e kampionatit dhe tashmë përballë njëri-tjetrit do kërkojnë të rikonfirmojnë vlerat e tyre të vërteta. Malazezi nuk trembet nga kjo megjithëse është I mendimit se nuk është një përballje portierësh por skuadrash dhe në kushte të tilla, kërkon një mbështetje maksimale edhe nga tifozët e zjarrtë shkodranë. Mbështetje që në fakt nuk ka munguar asnjëherë dhe në kushte të tilla Miroslav Vujadinoviç garanton maksimumin në këtë ndeshje të parë të këtij kampionati të ri.
Gjergj KOLA