Vllaznia U15 dje pasdite u kurorëzua si kampione e Ligës Amatore për Zonën e Shkodrës pasi mundi në finale me rezultatin 1-0 ekipin Atletik.
Pas kësaj ndeshje është zhvilluar edhe ceremonia e dorëzimit të kupës ku Mjeshtri i futbollit shqiptar Hysen Zmijani ia ka dorëzuar kupën kapitenit të ekipit të Vllaznisë William Cungu.
Ky i fundit, i entuziasmuar nga ky sukses, në një prononcim të shkurtër për “Shkodra Sport” është shprehur: “Padyshim që është kënaqësi të fitosh kupën sepse kemi punuar gjatë gjithë sezonit për këtë moment dhe pas shumë pune, ia dolëm të kurorëzohemi me sukses si më të mirët e kampionatit”.
I pyetur se çfarë do të thotë për të veshja e fanellës kuqeblu të Vllaznisë, skuadër për të cilën ka luajtur edhe i ati- Armando Cungu, William shton: “Padyshim që të veshësh fanellën e Vllaznisë është diçka shumë e veçantë, përderisa edhe babai im e ka veshur më përpara atë dhe uroj që të vazhdoj në hapat e tij dhe pse jo, të bëj më shumë”.
Duke e ngacmuar më tej se cili është objektivi i ardhshëm në karrierën e tij, Cungu i vogël shprehet: “Objektivi është të shkoj sa më larg, pse jo edhe në ekipe europiane, por edhe Vllaznia nuk mbetet kurrë prapa”.
© shkodrasport.com