Xavi Hernandez e ka cilësuar një turp golin që nuk u dha në favor të skuadrës së tij gjatë “El Clasico” kundër Real Madrid. Trajneri i Barcelonës, duke folur para mediave, nuk ngurroi ta cilësonte këtë një ndeshje të dominuar nga skuadra e tij, e cila duhej të kishte dalë me tre pikët nga kjo sfidë dhe jo me 0 pas humbjes 3-2.

“Me lojën që bëmë, gjëja normale ishte të fitonim, luajtëm më mirë se Madridi në “Bernabeu”. Duhet t’u themi tifozëve se luajtëm shumë mirë sot dhe i meritonim tre pikët.

Goli i anuluar? Është turp! Po, është.

Objektivi? Tani kemi synim të vazhdojmë të luftojmë, të arrijmë vendin e dytë, që na mundëson akses në një kompeticion shumë të rëndësishëm.

Sezoni i ardhshëm? Tani nuk është koha, tani duhet ta përtypim këtë disfatë që do të na kushtojë sepse e merituam fitoren dhe tani të mendojmë për ndeshjen në shtëpi kundër Valencias”, tha Xavi para gazetarëve.