Vllaznia nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 ndaj Egnatias dy ditë më parë. Shkodranët pësuan gol të parët, ndërsa më pas barazuan me Krymin e në fund ngecën në barazim 1-1. I ftuar në emisionin “Sport Neës Plus”, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi u shpreh se nuk është i kënaqur me disa lojtarë te skuadra shkodrane.
Numri një i skuadrës shkodrane foli edhe për merkaton, teksa konfirmoi kontaktet me Bekim Balajn që për momentin është pa ekip. Në fund, Xhaferi bëri thirrje që VAR të vendosi drejtë pasi u kanë mohuar një penallti ndaj Engatias dhe konkretisht rastin e Çobës që e ka cilësuar si një penallti të pastër.
“Nuk jemi të kënaqur me paraqitjen e disa lojtarëve. Nuk jemi të kënaqur me pjesën e sulmit dhe kemi shpresur që do të ketë një rikthim pasi goli është një ngërçë. Janari është muaji i vështirë për të gjetur lojtar, por do t’ia lëmë kohës nëse ne do të bëjmë një afrim në sulm apo jo.
Balaj? Kam pasur një telefonat dhe i kam ofruar që të vij te Vllaznia, ka pasur një reagim pozitiv nga ai. Balaj ka disa oferta nga jashtë dhe nëse nuk do të ketë një finalizim nga jashtë për të, Shkodra është shtëpia e tij dhe do të jemi të kënaqur nëse do të jetë për ne.
Vitin e kaluar ishim 9 pikë para të tjerëve dhe në fund nuk fituam. Besoj deri në fund pasi kampionati nuk ka arritur në gjysmën e saj dhe ka shumë ndeshje për t’u luajtur. Unë dhe skuadra besojmë se do të ngjitemi lartë dhe objektivi jonë është titullin kampion pa lënë pas edhe Kupën.
Këto hapa fals që kemi bërë deri tani, shpresoj t’i lëmë pas. Në fillim të sezonit kemi vënë 3 objektiva, titullin, Kupën dhe kualifikimi në Europë dhe besoj se një nga këto objektiva mund t’i arrijmë dhe nuk do ta quaj dështim nëse nuk fitojmë titullin.
Në sfidën ndaj Egnatias, dua të veçoj një rast për penallti. Ky rast i Çobës është skandaloz dhe nuk e di se çfarë punë bëjnë arbitrat në dhomat e VAR. dua t’i bëj thirrje që të kenë kujdes në ndeshjet tona pasi VAR ka ardhur për të vendosur drejtësi”, u shpreh Xhaferi. /newsport/