Barazimi ndaj Egnatias ka sjellë një ecuri negative për Vllazninë, pasi kuqeblutë e kanë çuar në 4 numrin e ndeshjeve pa fituar, për herë të parë në këtë sezon.

Skuadra, e cila ka përfunduar në “bankën e të akuzuarve” për mungesën e golave në dy ndeshjet e para të këtij viti, ka 12 ndeshje pa humbje, por që nuk vlejnë shumë, sepse Vllaznia është e katërta dhe 7 pikë larg kreut, me Tiranën që ka një ndeshje më pak.

Megjithatë, pavarësisht se është e katërta në renditje, ecuria e katër javëve të fundit e Vllaznisë lë shumë për të dëshiruar. Madje, duhet thënë se skuadra shkodrane nga 12 pikë të mundshme ka marrë vetëm 4 pikë.

Që nga takimi me Dinamon në Elbasan dhe deri te përballja e së premtes me Egnatian, që ishte takimi i katërt, ekipi ka grumbulluar as më pak e as më shumë, por vetëm 4 pikë. Në këtë vit të ri, pas rinisjes së kampionatit, Vllaznia barazoi ndaj Egnatias në Shkodër me shifrat 1-1, poashtu barazoi edhe me Tiranën në transfertë, 0-0.

Katër barazime rradhazi është bilanci i katër javëve të fundit që lënë shumë për të dëshiruar. Në këtë sezon, deri më tani, shkodranët kanë marrë 6 fitore, 9 barazime dhe 2 humbje ndaj Kukësit dhe Tiranës, dy ekipeve pretendente për t’u shpallur kampion në fund të sezonit.

Vllaznia pritet që të kthehet sërish te fitorja pikërisht që në ndeshjen e rradhës. Ajo do të ketë përballë ekipin e Kastriotit, me të cilin arriti që të fitonte 3-1 në përballjen e fazës së parë në Shkodër.
Maringlen Zhivani