Vllaznia vijon të stërvitet dhe të zhvillojë ndeshje miqësore, por mosnisja e kampionatit i ka krijuar jo pak probleme dhe kjo gjë ka shqetësuar të gjithë pjestarët e saj të cilët presin një zgjidhje sa më të shpejtë të këtij problemi.
Nga kjo shtyrje duket se është mërzitur edhe sponsori i Vllaznisë Alban Xhaferi i cili e ka parë skuadrën kuqeblu vetëm në miqësore deri më tani dhe në asnjë ndeshje zyrtare, aq sa me humor e quan veten “presidenti i miqësoreve”.
Këtë gjë e thotë në një prononcim të dhënë ditën e sotme për “Shkodra Sport” pas miqësores që ekipi i parë zhvilloi ndaj atij U21.
“Gjendja e ekipit duket optimale dhe futbollistët po bëjnë maksimumin por problemi është se nuk po na fillon kampionati por ne shpresojmë që kjo situatë të mbyllet sa më shpejt dhe ne të kthehemi për të luajtur. Kjo zgjatje kuptohet që ndikon për keq sepse edhe trajneri ka një plan pune dhe i është dashur ta ndryshojë herëpashere sepse ndeshjet zyrtare nuk kanë nisur.
Por nga ana tjetër, na ka shqetësuar edhe ne të tjerët, madje veten mund ta quaja “presidenti i miqësoreve” sepse ekipi miqësore ka bërë deri më tani dhe ende nuk kemi bërë asnjë ndeshje aty ku duhet t’i bëjmë”./SHKODRA-SPORT.COM/