Xherdan Shaqiri ka ngritur pikëpyetje në lidhje me atë ardhmen e tij. Gjatë një interviste për mediet zvicerane, sulmuesi dardan paralajmëroi largimin nga skuadra e Baselit, teksa nuk e përjashtoi kalimin tek klubi i Rapperswil, aty ku ai është edhe aksioner.
Xherdan Shaqiri ka paralajmëruar se e ardhmja e tij mund të jetë larg Baselit. Sulmuesi me origjinë nga Kosova nuk e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të luajë për klubin zviceran të kategorisë së dytë, Rapperswil, ku tashmë ai zotëron një pjesë të aksioneve.
Në një intervistë të gjatë për median zvicerane “Blick”, Shaqiri ka folur për përfshirjen e tij aktive në skuadrën e Rapperswilit, duke theksuar se investimi i tij nuk është rastësor dhe se planet për të ardhmen janë ambicioze.
“Unë nuk jam përfshirë në Rapperswil pa arsye. Kemi plane të mëdha për klubin”, deklaroi Shaqiri, duke shtuar se angazhimi në këtë ekip i ka dhënë atij një këndvështrim të ri mbi funksionimin dhe drejtimin e një klubi futbolli.
34-vjeçari bëri të ditur se po përpiqet të ndjekë nga afër çdo ndeshje të Rapperswilit, sa herë që është e mundur, ndërsa theksoi se drejtimi i një klubi kërkon shumë punë dhe përkushtim. Përveç rolit si aksionar, lojtari dardan po mendon edhe për të ardhmen e tij pas përfundimit të karrierës si futbollist aktiv. Ai ka konfirmuar se po punon për t’u pajisur me licencat e trajnerit, edhe pse ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar se çfarë roli do të ketë në futboll në vitet që vijnë.
“Ndoshta do të luaj edhe vetë për Rapperswil-in. Kjo është një mundësi e qartë, tha ndër të tjera ai.
Deklarata e Shaqirit ka nxitur menjëherë spekulime për një largim të mundshëm nga Baseli, klubi ku ai aktualisht aktivizohet dhe ku vazhdon të jetë një nga figurat më të rëndësishme.
Rapperswili pritet të festojë 100-vjetorin e themelimit në vitin 2028, dhe Shaqiri nuk e fsheh se ka synime të qarta që deri atëherë klubi të arrijë suksese të mëdha.


