Sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj pasditen e sotme ka arritur të bëjë realitet titullin e dytë kampion në karrierën e tij. Pas atij të fituar me Elbasanin në vitin 2004, sot 24 vjeçari shkodran ka provuar këtë ndjesi edhe me skuadrën e Sepahanit në kampionatin iranian të futbollit. Pasditen e sotme janë zhvilluar ndeshjet e javës së fundit të këtij kampionati dhe Sepahani ndonëse ka barazuar 0-0 në fushën e tij me ekipin Mes Sarcheshme, kjo pikë e marrë i ka mjaftuar për t’u shpallur kampione e vendit për të tretin vit rradhazi. Sukaj në ndeshjen e sotme ka qenë për 86 minuta titullar në fushë por pa arritur dot të shënojë megjithatë në fund i është gëzuar titullit kampion.

Në stadium ka qenë një festë e vërtetë pasi biletat kanë qenë të shitura të gjitha tre ditë përpara. Në këtë mënyrë, shkodrani ka arritur objektivin e tij të parë me këtë skuadër dhe tashmë synon të fitojë edhe Champion League të Azisë pasi skuadra e tij ka mbërritur në çerekfinale dhe konsiderohet favorite për ta fituar atë. Megjithatë pa mbërritur deri atje, Sukaj dhe ekipi i tij sot kanë festuar titullin kampion të Iranit.
Gjergj KOLA