Xhevahir Sukaj është një emër shumë i njohur i futbollit shqiptar. Sulmuesi 33-vjeçar, tashmë pa ekip pasi u largua nga Flamurtari, ka luajtur edhe për skuadrën e Partizanit edhe për skuadrën e Vllaznisë.

Si një ish i dy skuadrave, Sukaj ka dhënë një intervistë për “Panorama Sport”, ku u shpreh se në këtë takim, asnjëra skuadër nuk është favorite për të fituar, si dhe theksoi se i kënaqet zemra kur shikon Vllazninë në vendin e parë të renditjes.

Të dielën, përplasen dy ish-skuadra të tuat, Partizani kundër Vllaznisë. Jeni i befasuar nga ecuria e dy klubeve deri më tani?

Të dielën do të jetë një ndeshje shumë e bukur. Partizani dhe Vllaznia gjithmonë kanë bërë ndeshje të bukura kundër njëra-tjetrës. Është një ndër ndeshjet më të mira të futbollit shqiptar. Asnjë njeri nuk befasohet nga ecuria e mirë e Partizanit dhe Vllaznisë, pasi janë ekipe që mund të jenë edhe më mirë se sa janë. Nuk përbën befasi pjesa e ecurisë, sidomos e Vllaznisë, por dhe e Partizanit, pavarësisht se me merkato të mbyllur. Jam i lumtur që të dyja ekipet po ecin mirë.


Çfarë u mungon skuadrave?

Vllaznia po tregon se nuk i mungon gjë, në aspektin e fushës, në aspektin e lojtarëve, pavarësisht se koha mund të nxjerrë të mirat dhe të këqijat e veta. Çdo ekip ka nevojë për lojtarë për të rritur eksperiencën.

Ndërsa Partizanit, i mungon merkatoja, sepse mendoj se do të ishte përforcuar edhe më tepër dhe një anë plus e Partizanit, është se ka lojtarët e vjetshëm dhe kanë një grup që e njohin njëri-tjetrin dhe është një gjë pozitive.

Cila është pika më e fortë e Partizanit? Po e Vllaznisë?

Të dyja ekipet luajnë në grup dhe për të dyja ekipet, kjo është pika më e fortë. Për Partizanin, kjo është më e rëndësishme, pasi nuk kanë sjellë lojtarë në verë. Ndërsa Vllaznia, përveç grupit, ka dhe anën fizike, që dominon fizikisht ndaj ekipeve dhe janë më lart se të tjerat. Kam parë dhe ndeshjen kundër Kukësit që e kanë humbur, ku kanë pasur gjendje fizike shumë më të mirë, pavarësisht se humbën.

Cilën skuadër konsideroni si favorite? Pse?

Asnjëra skuadër nuk është favorite, për mua kjo ndeshje i ka të tria rezultatet brenda. Pavarësisht se Vllaznia ka disa pikë më tepër, kjo ndeshje nuk ka ekip favorit.