Gazetari i sportit, Pano Xhixho në emisionin “Skaner” në MCN TV, është shprehur se Tirana e mposhti Vllazninë si me rezultat ashtu edhe me lojë.
Xhixho tha se Seferi është rikthyer si në kohët e tij më të mira. Ai foli edhe për Vllazninë, ku theksoi se ndryshe nga sezoni i kaluar, këtë sezon te shkodranët duket se mungon entuziazmi.
“Tirana e mposhti Vllazninë edhe me lojë edhe me rezultat. E pamë Vllazninë të fikur me aq shumë tifozë. Gjithmonë pas derbit Tirana dhe Partizani në të kaluarën kanë pasur eufori, por këtë herë bardheblutë nuk e kishin.
Pashë Seferin si në ditët më të mira, jo vetëm në sulm por edh enë fazën e mbrojtës. Shikoj Tiranën që të gjithë sakrifikojnë. Jemi në javën e 7-të dhe duhet të kemi kujdes me etiketimet që i vendosim futbollistëve. Duhet të presim.
Vllaznia sezonin e kaluar kishte edhe ndeshje që i fitonin me entuziazëm. Tani më duket se nuk ka më entuziazëm, kjo është kthyer në tension. Vllaznia nuk është më si sezonin e kaluar.
Tani të gjithë ia kanë marrë masat. Latifi është shumë pak për te kuqeblutë. Duket sikur i harxhuan golat me Dinamon.”, u shpreh Xhixho.