Dinamo mban vendin e parafundit në Superligë me 23 pikë, 8 më pak se zona play-off kur kanë mbetur edhe shtatë javë nga fundi i sezonit. Blutë kanë qenë një dështim këtë kampionat, ndërsa u rikthyen në elitë pas nëntë vitesh dhe u ndërtuan për Kupat e Evropës.

Në Skaner, gazetari Ylli Aga ka treguar se shumë lojtarë të Bluve do jenë në Superligë sezonin e ardhshëm me skuadra të ndryshme. “Debatet që merr tema e Dinamos, janë të justifikuara, duke parë pritshmëritë që kemi pasur për këtë skuadër.

Tani jemi të ndarë në opinione, si mund të rrëzohet një skuadër, me këtë buxhet dhe këta lojtarë. Ne duhet të jemi shumë të ftohtë dhe pa dashur të prekim askënd. Ne flasim për një fenomen, se si mund të rrëzohet një klub me këtë investim. Të gjithë duhet të flasin për përgjegjësit.

Po t’i bashkosh të gjitha bashkë, nuk gjen pikën e logjikës, se si mund të bjeri kjo skuadër. Të gjithë lojtarët që u afruan te Dinamo, sezonin e ardhshëm do i shikojmë sërish në Superiore me skuadra të tjera ose në 5 skuadrat e para në Kosovë. Këta lojtarë nuk u bënë bashkë. Nuk krijuan kimi, nuk krijuan grupin. Buxheti i Dinamos, ishte më i vogël, se Tirana, Vllaznia, Partizani dhe Laçi”, tha Ylli Aga.