E ardhmja e Joshua Kimishit, i cili do të mbushë 29 vjeç më 8 shkurt, do të diskutohet shumë në muajt në vijim. Mesfushori gjerman i Bajernit të Mynihut është në krye të listës së preferencave të trajnerit të Barcelonës, Ksavi Hernandez, për të përforcuar pozicionin e qendër së mesfushës. Në fakt Barça e donte lojtarin që verën e kaluar.
Në fund shkoi për ish-lojtarin e Gironës, Oriol Romeu në pritje të çeljes së një tjetër dritareje nga mesfushori i kombëtares gjermane. Sipas mediave gjermane, më saktë “Sport1”, Kimish që ka një kontratë të vlefshme me Bajernin deri në vitin 2025 nuk duket i gatshëm për të rinovuar kontratën me klubin e tij. Sipas kanalit gjerman, Kimish ka shumë dyshime në nivelin sportiv në klubin bavarez.
Kimish, i cili mendoi seriozisht të largohej nga “Allianz Arena” në fund të sezonit të kaluar, nuk ndihet fort komod në Mynih. Shpesh ai ka pasur fërkime me trajnerët e Bajernit, Flik, Nagelsman apo Tuhel për pozicionin në fushë dhe aktivizimin si titullar.
Sipas të njëjtave informacione, Barça është një nga opsionet e tij për ndryshimin e klimës, ndonëse katalanasit nuk janë të vetmit që janë gati të joshin mesfushorin. Në listë janë dhe rivalë të ashpër si Reali i Madridit dhe Mançester Siti, ku do të ribashkohej me Pep Guardiolën.
Sa i përket Barcelonës, Ksavi Hernandez do të ishte i gatshëm të nënshkruante në moment me mesfushorin, nëse klubi do t’i garantonte mbështetjen financiare të nevojshme për ta bërë këtë.
Kimish nga ana e tij nuk e ka fshehur kurrë se idhulli i tij i fëmijërisë është trajneri aktual i Barçës. Kufizimet financiare të Barçës e penguan nënshkrimin e tij verën e kaluar dhe gjithashtu e penguan futbollistin gjerman të bënte një luftë të fortë kundër Bajernit siç bëri Levandovski një vit më parë. Por shtegu për transferimin e Kimish te Barça mund të çelet sërish dhe katalanasit janë aty në pritje.