Alban Bushi e cilëson si të merituar humbjen e sotme të Argjentinës përballë Arabisë Saudite. Trajneri i Shqipërisë U21, i ftuar në studion e “Qatar N’24”, në “News 24”, e sheh këtë si një sinjal të fundit të karrierës së Leo Mesit. Sipas tij, koha e Mesit dhe Ronaldos ka mbaruar dhe trajnerët duhet të mendojnë edhe për t’i zëvendësuar.

“Kur mobilizohesh mund të marrësh rezultat ndaj çdo ekipi, por kjo mund të ndodhë shumë rrallë. Argjentina ishte shumë dobët, nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Arabia ishte shumë solide, shumë e fortë në mbrojtje, shumë e egër. Ai është shumë trajner i mirë, më ka pëlqyer si e drejtoi lojën deri në fund.

Mesi m’u duk i lodhur, flasim për të e Ronaldon, por i shohim edhe në kampionat që nuk janë. Ata ishin dikur eksplozivë, tani po të marrësh Ronaldon e ta kalosh djathtas nuk driblon dot. Nuk mendoj se është kampionat i këtyre yjeve, koha e tyre ka mbaruar.

Nuk mund të luash me 10 e gjysmë ndaj 11, edhe mund ta nxjerrësh jashtë Mesin. Argjentina pastaj luajti pjesën e dytë me krosime me Mesin e Lautaron të shkurtër, nuk dukej se ishte e mirëmenduar taktika e Skalonit”, theksoi Bushi.