Dëmtimi i pazakontë i Mentor Mazrekajt para ndeshjes me Vllazninë mund të thuhet se pati ndikim në paraqitjen e kurbinasve, ku trajneri Mirel Josa i kishte bërë llogaritë me 32- vjeçarin për transfertën e Shkodrës.

Mazrekaj rrëshqiti në dhomën e zhveshjes para ndeshjes, por ka qenë me fat, pasi nuk ka pësuar ndonjë lëndim të rëndë. Pas dëmtimit të çuditshëm që e la jashtë ndeshjes me Vllazninë, kosovari ka ndjekur për disa ditë një terapi speciale nën drejtimin e stafit mjekësor dhe përgatitjes fizike.

Puna e kryer ka rezultuar fantastike te kurbinasit, pasi në kohë rekord është bërë i mundur riaftësimi i mesfushorit me tipare sulmuese. Mazrekaj dje i është bashkuar skuadrës në stërvitje duke u përgatitur normalisht me grupin.

“Panorama Sport” ka mësuar se Mazrekaj do të jetë në planet e stafit teknik për ndeshjen e fund javës me Dinamon. Të shtunën, në orën 13:45 Laçi pret në shtëpi dinamovitët dhe gjasat janë që Mentor Mazrekaj të japë kontributin e tij në këtë takim, ku kërkohet rikthimi te fitorja, pasi në Shkodër bardhezinjtë pësuan humbjen e parë nën drejtimin e trajnerit Mirel Josa.

Përveç Mazrekajt, rikthim me peshë është edhe ai i Regi Lushkjes, i cili ishte i pezulluar në javën e shkuar ndaj shkodranëve për shkak të plotësimit të numrit katër të kartonëve të verdhë. Kështu që trajneri Josa do ta ketë më të plotë grupin për ndeshjen me Dinamon.