Havier Zaneti, ash tu si gjithë Interi, po i gëzohet mbërritjes në finalen e Champions League dhe tashmë zëvendëspresidenti dhe zikaltrit duan ta mbyllin në mënyrën më të mirë sezonin.

Përballë do të kenë Mançester Sitin, një klub të cilësuar jo pak herë si kolos i futbollit aktual dhe edhe ish-kapiteni ka pranuar diferencat me anglezët dhe kampionatet e tjera, edhe pse shpreson që ky të jetë vetëm hapi i parë i Interit dhe futbollit italian.

“Interi do të luajë finalen me Mançester Sitin, por gjithashtu do të luajnë edhe dy ekipe të tjera italiane në finalet europiane. Shpresojmë të jetë një pikënisje për futbollin italian që të kthehet në nivelet konkurruese që ka pasur. Kjo arritje është shumë e rëndësishme, por është një trend që duhet ruajtur dhe i duhet dhënë vazhdimësi.

E dimë se për të mbërritur në nivelin e Premier Ligës dhe Bundesligës na duhet shumë punë, por e kemi hedhur tashmë hapin e parë dhe Interi shpresoj të kontribuojë edhe më tej në këtë drejtim”, ishin fjalët e para të legjendës zikaltër për “Planetwin365.news”, duke u ndalur më pas në një sërë temash, nga rivalët e Napolit te Tiago Mota dhe Italia.

NAPOLI DHE TIAGO MOTA – “Napoli duhet duartrokitur që ka luajtur një kampionat të jashtëzakonshëm që në fillim. Nuk mundem veçse t’i uroj për titullin që kanë fituar me meritë”, tha Zaneti për kampionët e rinj të Italisë.

Jo vetëm kaq, por ishmbrojtësi komentoi edhe sezonin e bërë nga Tiago Mota, ishshoku i tij i skuadrës me të cilin fituan tripletën e 2010-ës.

“Duke folur për urimet, dua të uroj edhe Bolonjën dhe Tiago Motën për atë që kanë bërë këtë sezon. I njoh cilësitë e tij si njeri dhe e di sa shumë ka për t’u mësuar lojtarëve të tij. Mënyra si luan Bolonja është mënyra si ai e interpretonte lojën si lojtar”, u shpreh “Pupi” për atë që u përfol jo pak herë si pasardhës i Inzagit.

ITALIA – Zaneti rezervoi një mendim edhe për skuadrën e Mançinit që do të përballet me Spanjën për të mbërritur në finalen e Ligës së Kombeve. “Shpresoj që Italia të gjejë forcë për të rifilluar pas mungesës në Botëror dhe duke parë edhe forcën e Mançinit dhe grupit të rri që po formon, uroj të bëjë gjithmonë mirë.

Gjithsesi, do të përballë Spanjën që luan bashkë prej shumë kohësh dhe pastaj në krahun tjetër është Holandë-Kroaci. Me gjithë dashamirësinë për Italinë, mendoj se në fund do të përballen Spanja me Holandën”, tha Zaneti.