Vllaznia është rendi tur në vendin e parë në Grupin A pas 14 ndeshjeve të luajtura deri tani. Një renditje e pritshme në njëfarë mënyre, por për sa u përket 35 pikëve të grumbulluara, shkodranët duket se e kanë bërë në mënyrën më të mirë të mundshme punën në këtë pjesë të parë të sezonit.
Mirëpo, te Vllaznia momentalisht po qahen vetëm pikët e lëna në Fushë-Krujë përballë Ilirisë. Në atë takim, shkodranët kanë pësuar humbjen e vetme të kësaj pjese të parë të sezonit. Sipas teknikut Hasan Lika, këto janë tri pikët e vetme që i kanë munguar ekipit. “Ndoshta mund të kishim edhe tri pikë më shumë në renditje.
Megjithatë, edhe me pozitën aktuale mendoj se jemi në rregull. Gara sa vjen dhe vështirësohet, me shtatë pikët që kemi me ndjekësin më të afërt janë, por edhe nuk janë shumë, pasi siç dihet në fund të fazës së dytë pikët përgjysmohen. Prandaj, ne duhet që të bëjmë mirë punën tonë në çdo ndeshje për të arritur objektivin që kemi”, është shprehur tekniku Hasan Lika.
Kjo është pak a shumë ajo çfarë ka diskutuar trajneri me lojtarët pas përfundimit të pjesës së parë të kampionatit. Në ndeshjen e parafundit, Vllaznia barazoi në fushën e vet me Besëlidhjen, në një kohë që ishte shumë pranë fitores.
Lezhjanët shënuan në limit duke marrë një pikë. Ndërsa, në ndeshjen e fundit të vitit, Vllaznia fitoi me rezultatin e pastër 2-0 “derbin” me Veleçikun. Skuadra dhe stafi teknik do të kenë në dispozicion një muaj kohë për t’u përgatitur për pjesën e dytë të kampionatit.