Ajo e luajtur pasditen e djeshme në Lezhë ndaj Besëlidhjes, ka qenë e para ndeshje miqësore për ekipin e Vllaznisë në përgatitjet e saj për sezonin e ri futbollistik.

Por drejtuesit kuqeblu kanë bërë planet për të zhvilluar edhe të tjera ndeshje miqësore në ditët e ardhshme. Kjo është bërë e ditur nga trajneri Jonuz që ka deklaruar:

“Prej së martës do të jemi në Ohër për të vijuar atje përgatitjet tona. Gjatë kësaj periudhe, kemi menduar të zhvillojmë edhe disa ndeshje miqësore.

Njëra do të jetë me Teutën. Kemi biseduar me drejtuesit e saj dhe skuadra e tyre do të jetë duke u stërvitur gjatë kësaj periudhe në Korçë, prandaj mund të luajmë në Pogradec me të.Po ashtu kam biseduar edhe me disa skuadra maqedonase dhe do të luajmë edhe me ta”.

Këto ndeshje do t’i shërbejnë stafit teknik për të testuar skuadrën por edhe lojtarët e ardhur apo dhe të tjerë që pritet të vijnë në vazhdim.
© shkodrasport.com