Lojtarët e Real Madrid kanë mbyllur vitin 2017 duke u stërvitur njëlloj si personazhi i famshëm televiziv “Rocky Balboa”. Mediat spanjolle kanë zbuluar se trajneri Zinedin Zidan, në ditën e fundit të stërvitjeve për 2017-ën, më 31 dhjetor, ka mbajtur lojtarët në stadiumin “Santiago Bernabeu” për një seancë të veçantë. Pas lojës me top, tekniku francez u ka kërkuar lojtarëve që të vishnin atletet e vrapimit dhe i ka drejtuar drejt shkallëve të stadiumit.

Atje u ka mësuar se si të bëjnë një ushtrim të cilin në këtë skuadër kishin dekada që nuk e praktikonin, vrapimet në shkallaret e tribunave.

Të gjithë lojtarëve iu kërkua që të kryenin një seri ushtrimesh sipas ritmit të tyre, je të gjithë me të njëjtin hap dhe rezultoi se dy më të ngathtët ishin Karvahal dhe Jorente. Lojtarët mbetën të çuditur nga kjo lloj stërvitje, ndërsa më pas mësuan nga stafi teknik se ishte zgjedhur kjo mënyrë për të rritur rezistencën fizike.

Metoda në fjalë u bë shumë e famshme në fundin e viteve ’80 dhe fillimin e viteve ’90 nga filmat e “Rocky Balboa”, boksierit i cili si pjesë të ushtrimeve të tij kishte vrapimet në shkallaret para Muzeut të Arteve në Pensilvani. /vipsport/