Vetëm pas pak ditësh, pushimet për futbollistët dhe stafin e Vllaznisë do të marrin fund dhe ata do t’i rikthehen sërish stërvitjes.

Kjo është planifikuar të ndodhë më 14 qershor dhe 2-3 ditë më vonë, ekipi kuqeblu pritet të lërë qytetin e tij për t’u spostuar në një kamping sportiv ku do të zhvillojë edhe periudhën më intensive të përgatitjeve për ndeshjet e Kupave të Europës.

Drejtuesit e klubit janë duke parë disa alternativa si në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, por “Shkodra Sport” meson se gjasat më të mëdha janë që Vllaznia të shkojë për stërvitje në Zllatibor të Serbisë.

Ajo ka qenë edhe para disa vitesh në këtë kamping dhe përpos kushteve të shkëlqyera që ai ofron, krijon edhe mundësinë për zhvillimin e 3-4 ndeshjeve miqësore me ekipe të rangut të lartë, të cilat zgjedhin çdo vit si destinacion këtë kamping për stërvitje.

Kemi te bejme me nje kamping malor ku natyrisht qe temperaturat ne kete periudhe jane normale dhe kjo do t’i ndihmoje futbollistet per te marre ngarkesa te larta stervitore.

Planet tashmë po bëhen edhe në Shkodër, por më përpara duhet plotësuar skuadra me lojtarët e duhur dhe po ashtu, duhet firmosur edhe kontrata me Brdariç nëse ai do të vazhdojë të jetë sërish në krye të saj./SHKODRA-SPORT.COM/