Shqipëria do të përfaqësohet me katër boksierë në Lojërat Europiane që do të nisin javën e ardhshme në Minsk të Bjellorusisë. Bëhet fjalë për sportistët Krenar Zeneli që do të konkurrojë në peshën 56 kg, Alban Beqiri në peshën 69 kg, Arjon Kajoshi 75 kg dhe Mikel Çullhaj në peshën 81 kg. Ata do të shoqërohen nga trajnerët Zef Gjoni e Jozef Sermi.

Ekipi ynë kombëtar është grumbulluar prej disa ditësh në Shkodër dhe tashmë është në përgatitjet e fundit për këtë aktivitet të rëndësishëm. Sipas trajnerit Zef Gjoni, shpresat më të mëdha janë tek Kajoshi dhe Zeneli, dy boksierë që gëzojnë formë shumë të mirë sportive dhe me to do të synohet fort për të hyrë në zonën e medaljeve.

“Gjendja e sportistëve është e mirë, sidomos ajo e Zenelit dhe Kajoshit dhe padyshim që me to do të synojmë të futemi në zonën e medaljeve. Nëse nuk do të ishte kështu, nuk do të shkonim fare në këto Lojëra.

Niveli i boksit shqiptar tashmë ka ardhur gjithnjë në rritje dhe besoj se mund të matemi të barabartë me gjithë sportistët nga mbarë Europa. Sigurisht që shpresojmë të kemi edhe pak fat në short dhe kështu të arrijmë objektivin që kemi”- ka thënë Gjoni.

Kombëtarja shqiptare e boksit do të niset të mërkurën e ardhshme drejt Bjellorusisë ndërsa ndeshjet do të nisin më 21 qershor, me shpresën e madhe për arritjen e një rezultati historik për boksin tonë.
© shkodrasport.com