Sot në Korçë do të zhvillohet kampionati kombëtar i atletikës për të rinj. Kryetrajneri i Vllaznisë Albert Marashi, në një prononcim për “Shkodra Sport” shprehet se edhe në këtë kampionat, ashtu edhe në atë të të rriturve, atletët shkodranë do të synojnë fitimin e të dy titujve kampionë, që do të jenë të 11-tit rradhazi për to.

“Gjatë këtyre ditëve do të zhvillohen dy aktivitetet më të rëndësishme kombëtare të atletikës, kampionati U20 dhe ai i të rriturve. Ashtu siç kemi qenë të suksesshëm edhe në kampionatet e moshave më të vogla, do të synojmë të njëjtën gjë edhe këtë herë, për të siguruar titullin e 11-të kampion rradhazi.

Presim gjithashtu edhe rezultate të larta sportive nga ana e atletëve tanë sepse ata gëzojnë një formë shumë të mirë sportive dhe ka ardhur momenti për t’i konkretizuar këto përgatitje me titullin kampion si ekip, atë si individ dhe pse jo edhe ndonjë rekord kombëtar”- ka thënë ai.

Puna që bëhet çdo ditë në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” dhe elementi cilësor që stërvitet tek ekipi i Vllaznisë, sipas Marashit janë tregues që konfirmojnë dominimin e atletikës shkodrane edhe për disa vite të ardhshme.

“Jam shumë i bindur se punën që bëhet çdo ditë në stërvitje, me përkushtim e madh të trajnerëve dhe elementin që kemi në dispozicion, sukseset e atletikës shkodrane do të vazhdojnë edhe për disa vite të tjera të dominojnë mbi të gjitha ekipet e tjera të vendit tonë”.

Garat e 20 vjeçarëve që do të zhvillohen sot pritet të dhurojnë edhe rezultate të larta nga atletët e Vllaznisë dhe përveç titullit kampion si ekip, pse jo edhe ndonjë rekord kombëtar.
© shkodrasport.com