Sporti në Shqipëri është në bojkot, ndërsa lufta më e madhe po bëhet për nisjen ose jo të sezonit. Në ballë të kësaj beteje ka dalë Liga Profesioniste dhe Federata Shqiptare e Futbollit, që kërkon plotësimin e katër kërkesave nga Qeveria.
Teksa sot është programuar një tjetër takim mes Ligës në ministrinë e Financave, negociatori I Qeverisë, Fidel Ylli është shprehur dje në Procesin Sportiv se shtetit I njihet e drejta me ligj për t’i hequr FSHF-së të drejtën e organizimit të kampionatit.
“Ka baza ligjore që shteti i ndalon Federatës të organizojë kampionatin ? Titullin Federatë ta jep shteti shqiptar sepse ti përfaqëson vendin, sepse s’mund të jenë 100 federata të një sporti. Nëse Federata ka korrupsion, nëse ka dhunë, nëqoftëse kjo Federatë nuk organizon kampionatin, bojkoton, shteti e ka këtë të drejtë.
Mund të ndodhë diçka e tillë? Nuk do ta dëshiroja por e drejta ekziston me ligj. Në 1982 Italia ka marrë një vendim të tillë duke shkrirë të gjithë Federatën e futbollit dhe ka vendosur një të deleguar të ministrisë së sporteve që ka organizuar ndeshjet”, tha Fidel Ylli./newsport/