Dy futbollistët shkodranë Ditmir Beci dhe Uendi Vecaj duket se do të jenë futbollistët e parë që do të largohen nga Skënderbeu. Kështu, dy shkodranët flitet se janë drejt largimit nga klubi korçar, pasi edhe kontrata u ka përfunduar.

Dy shkodranët Beci dhe Vecaj nuk arritën dot të linin shenjë në Korçë, edhe për shkak të dëmtimeve të shumta që pësuan. Për këtë arsye, marrëdhënia është ndërprerë me futbollistët në fjalë.

Në vazhdim, një gjë e tillë pritet të zyrtarizohet edhe nga vetë klubi korçar ose edhe nga ana e dyshes shkodrane, të cilët mesa duket nuk do të rinovojnë më tek Skënderbeu. Me këtë ekip, Beci u aktivizua në vetëm pesë ndeshje, edhe për shkak të një dëmtimi që pësoi, duke mos arritur të shënojë as një gol dhe të mos lërë shenjën e tij në Korçë.

E njëjta gjë vlen edhe për Uendi Vecajn, i cili u aktivizua në 13-ndeshje dhe arriti të shënojë vetëm një gol ndaj Orikut në mesin e kampionatit.

Ndërkohë, nga ana tjetër, një shkodran tjetër që është tek Skënderbeu, pikërisht Ardit Nikaj, do të vijojë të jetë pjesë e klubit korçar, pasi ka kontratë edhe për një sezon tjetër aty.
Maringlen ZHIVANI