Olivie Zhiru do të festojë sot në ora 15:00 ndeshjen e 100 si kuqezi në të gjitha kompeticionet. Ndërkohë, Milani është skuadra kundër së cilës Leçe ka barazuar më shumë ndeshje në Serie A: 12 nga 34, kompletuar me 20 suksese të kuqezinjve dhe dy fitore të salentinëve.
– “Djalli” ka mbetur i pamposhtur në 22 nga 23 ndeshjet e fundit kundër Leçes në Serie A (12F, 10B), i vetmi sukses për puliezët daton më 1 Prill 2006 (1-0 me një gol nga Aksel Konan).
– Kuqeverdhët kanë mbetur të pamposhtur në nëntë nga 12 ndeshjet e fundit në shtëpi kundër Milanit në Serie A (1F, 8B), duke gjetur rrjetën në 10 prej tyre.
– Pasi fitoi 11 pikë në pesë ndeshjet e para të këtij kampionati (3F, 2B), djemtë e Roberto D’Aversës kanë marrë vetëm 2 pikë në gjashtë ndeshjet e fundit të Serisë A, duke humbur dy të fundit. Ky ekip nuk ka humbur të paktën tre ndeshje në një rresht në Serinë A nga periudha midis shkurtit dhe prillit (gjashtë në atë rast).
– Kuqezinjtë kanë humbur dy nga tre ndeshjet e fundit të kampionatit (1B), po aq sa në 19 të mëparshmet (13F, 4B); Djemtë e Piolit nuk kanë pësuar dy humbje radhazi në Serie A që nga periudha midis janarit dhe shkurtit 2023 (tre në atë rast, kundër Lacios, Sasuolos dhe Interit).
– Pas humbjes 0-1 kundër Udinezes, Milani mund të mbetet pa gol në dy ndeshje radhazi në kampionat për herë të parë që nga prilli 2022 (dy 0-0 në atë rast, kundër Bolonjës dhe Torinos).
– “Djalli” nuk është mundur në nëntë nga 10 ndeshjet e fundit të kampionatit të luajtura menjëherë pas një ndeshje të Ligës së Kampionëve (6F, 3B) teksa humbja e vetme ka qenë kundër Specias më 13 maj.
– Milani ka marrë 29 kartonë në këtë kampionat (27 të verdhë dhe dy të kuq), vetëm Leçe (32 kartonë të verdhë dhe dy përjashtime) dhe Juventus (30) kanë më shumë ndëshkime se sa djemtë e Piolit.
– Leçe është viktima e preferuar e Rafael Leaos në Serinë A: 4 gola në katër ndeshje, duke përfshirë një dopjetë më 23 prill të këtij viti. Në vitin 2023, asnjë lojtar kuqezi nuk është përfshirë në më shumë gola në kampionat se portugezi (12 gola dhe 7 asiste): 19, po aq sa Zhiru (14 gola dhe 5 pasime fituese). Leao mund të bëhet lojtari i dytë i Milanit që përfshihet në të paktën 20 gola në dy vite kalendarike radhazi në Serie A në 20 sezonet e fundit, pas Zlatan Ibrahimoviçit (në 2011 dhe 2012).
– Nikola Sansone ka shënuar pesë gola kundër Milanit në kampionat. Kundër asnjë skuadre ai nuk ka bërë më mirë në Serie A (pesë gola edhe ndaj Interit). Leçe mund të bëhet skuadra e katërt e ndryshme me të cilën ai arrin të shënojë kundër Milanit në turne, vetëm një lojtar e ka arritur këtë me më shumë klube në Itali (Enrico Kieza me pesë).