Në rubrikën Star Sport, mbrëmë ishte i ftuar edhe gazetari sportive, Maringlen Zhivani. Në fjalët e tij ai komentoi për barazimin që mori Vllaznia në Rrogozhinë në shifrat 0-0 ditën e dielë. Sipas Zhivanit e gjithë skuadra nuk shfaqi nivelin që paraqiti në ndeshjet paraardhëse kundër Kukësit apo Tiranës.

Gjithashtu ai vlerëson edhe performancën e Males, jo vetëm për këtë takim, por për gjithë sezonin. E ndërsa vlerëson edhe Jonuzin, ku tregon se kur mesfushori nuk është në formën e tij edhe Vllaznia e vuan një fakt të tillë.

Zhivani tha: “Barazimi kundër Egnatias ndoshta i rri disi ‘ngushtë’ skuadrës në këto momente. Kjo pasi kundërshtarët direktë për titullin kampion si: Tirana dhe Partizani arritën të fitonin në ndeshjet e tyre përkatëse të kësaj jave. Mu duk sikur mungoi ritmi që shfaqën shkodranët në ndeshjet kundër Tiranës dhe Kukësit.

Nuk e di pse Vllaznia këtë sezon po vuan me skuadrat e vogla të cilësuara në letër. Pavarësisht se në opinionin tim ky kampionat është shumë i egër dhe ka konkurrencë të madhe, nuk ka ndeshje të lehta.

Por ne presim nga kjo Vllazni, duke parë vetë emrat që kemi në skuadër që besoj se janë më të mirët e kampionatit. Kemi shembullin e Males, që jo vetëm ka qenë më i miri i Vllaznisë, por edhe ndër më të mirët e kampionatit në mendimin tim. Edhe kundër Egnatias ishte një ndër lojtarët që u përpoq më shumë, por nuk arriti të bënte diferencën i vetëm. Por ai është një lojtar shumë i rëndësishëm i skuadrës që nga momenti kur ai u bë pjesë e formacionit kuqeblu.

Një tjetër futbollist i rëndësishëm është edhe Fjoart Jonuzi dhe sidomos në periudhën e fundit. E pamë që kundër Egnatias nuk ishte ndoshta në ditën e tij më të mirë dhe këtë e vuajti edhe skuadra. Kur kuksiani nuk është në formën e tij, kjo ndikon shumë në lojën e mesfushorëve sepse Jonuzi është një lojtar që jep thellësi dhe shërben për sulmin. Gjë që mungoi në këtë duel kundër Egnatias, ku skuadra prodhoi shumë pak në pjesën sulmuese.”
Endri ÇINARI