Drejtuesit e Vllaznisë kërkojnë që të shpejtojnë për ndërtimin e skuadrës, paçka se shumë gjëra do të varen nga zgjedhjet lokale. Për “Panorama Sport”, vetë administratori Suad Lici ka pranuar se janë pranë marrëveshjes me dy lojtarët që mbyllën sezonin te Kastrioti: mesfushorin Herald Marku dhe qendërmbrojtësin Dajan Shehi. Mirëpo, mësohet se ka edhe emra të tjerë që drejtuesit e klubit kanë nisur kontaktet me ta.
Nga burime pranë klubit shkodran, bëhet e ditur se drejtuesit kanë arritur marrëveshjen për rinovimin e kontratës me sulmuesin brazilian, Silvio Rodriges Zhunior, i cili ishte golashënuesi më i mirë i Vllaznisë në Kategorinë e Parë. Me lojtarin është rënë parimisht dakord që të jetë edhe për këtë sezon pjesë e Vllaznisë dhe tashmë zyrtarizimi do të bëhet pas firmosjes së kontratës.
Pas hezitimeve të momentit, Zhunior ka gjetur dakordësinë me klubin për anën financiare dhe tani firma mbetet një formalitet. Mirëpo, ai mund të mos jetë i vetmi brazilian, pasi me një sulmues krahu nga vendi i Sambës, emri i të cilit mbahet sekret nga klubi, po negociohet për t’u veshur kuqeblu. Shumë shpejt pritet që Xhunior, por edhe sulmuesi tjetër nga Brazili të jetë në Shkodër. Gjasat janë që kjo të ndodhë vetëm në ditët e para të muajit korrik.
SHKODRANI – Pavarësisht se po shikojnë për sulmues në Brazil dhe njërin prej tyre thuajse e kanë të gjetur, drejtuesit e Vllaznisë mësohet se kanë nisur tanimë bisedimet edhe me shkodranin Rubin Hebaj. Futbollisti që mbylli sezonin e shkuar me Partizanin dhe arriti të shënojë 4 gola shumë të rëndësishëm për shpalljen kampion të të kuqve, ka si kusht për t’u transferuar në një ekip, hapësirën që do t’i jepet.
Hebaj duket se është lodhur nga qëndrimi në stol, si te Domzhale në Slloveni, ashtu edhe te Partizani, kështu që te Vllaznia mund të gjejë veten. Falë edhe pjekurisë që ka fituar, Hebaj tashmë mund të jetë një pikë e fortë për skuadrën shkodrane. Por, për të marrë një vendim përfundimtar pas ofertës që Vllaznia i ka bërë, Hebaj do të presë edhe disa ditë, pikërisht pas përfundimit të zgjedhjeve lokale. Lojtari kërkon garanci dhe nuk preferon të nxitohet për të hedhur firmën.
Admir Uruçi – PANORAMAS