Ish-mbrojtësi, njëkohësisht ish-kapiteni i Vllaznisë, Luan Zmijani, në një prononcim për “Panorama Sport” shprehet optimist se Vllaznia e tij mund t’ia dalë për të qenë në finalen e Kupës së Shqipërisë. Sipas tij, rezultati i përballjes së parë ka lënë gjithçka të hapur. Zmijani ka besim të plotë se Vllaznia do të jetë mes katër më të mirave në fund të katër javëve të mbetura të sezonit. Ai u shpreh edhe në lidhje me çiftin tjetër gjysmëfinalist.

Zmijani, si e shikoni gjysmëfinalen e dytë mes Vllaznisë dhe Egnatias?

E shikoj si një ndeshje shumë të fortë, ndaj një kundërshtari si Egnatia, që vjen pas një fitoreje ndaj Laçit dhe për më tepër që është ekipi kryesues i kampionatit. Padyshim, një kundërshtar i vështirë për tu mundur.

Vllaznia në javët e fundit ka vuajtur për gjetjen e golit. Çfarë duhet të ndryshojë për të shkuar te goli në këtë takim?

Duhet të punohet më shumë dhe të besohet se kundërshtari nuk është i pathyeshëm dhe mund të ndëshkohet në çdo moment. Unë mendoj se Vllaznia do të dijë të gjejë forca që të godasë kundërshtarin. Mendoj se duhet që sulmuesit të kenë më shumë besim te vlerat e tyre.