Ka fituar Kupën e Shqipërisë dhe titullin “Kampion i Veriut” ndërkohë që është në garë dhe pretendenti kryesor edhe për fitimin e titullit kampion i Shqipërisë. E kemi fjalën për ekipin e 19 vjeçarëve të Akademisë Vllaznia i cili ka në përbërje të tij lojtarë të talentuar.

Trajneri Luan Zmijani në një prononcim për “Shkodra Sport” ka zbuluar edhe një fakt interesant. Sipas tij, është hartuar një listë lojtarësh që janë të aftë për të luajtur me ekipin e parë dhe ai shpreh bindjen se 3-4 prej tyre e meritojnë të jenë pjesë e Vllaznisë.

“Interesimi më i madh edhe i klubit por edhe yni dhe i stafit të Akademisë është që të formojmë lojtarë sa më të mirë për ekipin e parë të Vllaznisë. Padiskutim që ka elementë brenda këtij ekipi që vlejnë për ekipin e parë. Unë kam paraqitur listën e lojtarëve që ne si staf mendojmë se mund t’i shërbejnë ekipit të parë.

Tashmë mbetet të analizohet nga drejtuesit, t’i shohin këto lojtarë e të vendosin për to. Ne mendojmë se janë 6-7 lojtarë që mund të jenë në vëmendje, dikush mund të jetë më afër, dikush më larg por secili prej tyre ka vlera. Por gjithsesi tek Vllaznia e madhe, 3-4 prej tyre e meritojnë të jenëe pjesë e saj”- thotë Zmijani.

Sa i takon kampionatit, Vllaznia U19 luan të shtunën ndeshjen e fundit të fazës së tretë dhe pastaj do të bëhet gati për plej- ofin ku objektivi është fitimi i titullit kampion për të tretin vit me rradhë. Një tregues ky i punës së mirë që bëhet me këtë ekip por edhe i elementit cilësor që ai ka në përbërje.
www.shkodrasport.com