Luan Zmijani është nga ata ish-futbollistë shkodranë të viteve ’90 që ka pasur fatin të fitojë dy herë titullin kampion me Vllazninë, ndërsa ka qenë gjithashtu edhe pjesë e Partizanit.

Ish-mbrojtësi, që prej vitesh ka punuar si trajner në akademinë e klubit kuqeblu dhe gjithashtu ka drejtuar edhe ekipin e parë, në një intervistë për “Panorama Sport” në prag të ndeshjes me Partizanin i bën një analizë ecurisë së Vllaznisë. Ai tregon pse shkodranët janë distancuar nga Tirana kryesuese, por në të njëjtën kohë thekson se kampionati është ende i hapur, pavarësisht se bardheblutë kanë bërë një hap gjigant.


Luan, çfarë përshtypjeje ju ka lënë sezoni i Vllaznisë deri më tani?

Kam parë një skuadër me luhatje, me lojëra të bukura në përgjithësi, por jo me rezultate që meriton. Në ndeshjen e fundit me Teutën shënoi 3 gola për 16 minuta, por toleroi aq shumë më pas sa rrezikoi seriozisht tri pikët. Kjo është diçka që nuk duhet të ndodhë.

Çfarë ka çaluar më shumë, sipas jush, që distanca me kreun është e madhe?

Nuk po shënojnë atëherë kur duhet për të marrë rezultatet. Shpërdorojnë shumë raste, edhe pse loja është e kënaqshme deri diku. Unë mendoj se në radhë të parë Vllaznia duhet të jetë sa më fanatike në mbrojtje, që të mos pësojë gola lehtësisht, ashtu sikur duhen shfrytëzuar në maksimum rastet për gol. Efikasiteti para portës me Teutën ishte sa për tri ndeshjet e fundit bashkë, por ekipi gaboi në fazën mbrojtëse, prandaj dhe kjo duhet korrigjuar në vazhdimësi.


Tirana është 14 pikë më shumë, e shikoni mision të pamundur për titullin?

Asgjë nuk ka përfunduar. Ka pikë ende shumë në lojë, aq sa edhe për ta kaluar Tiranën. Gjithmonë nëse Vllaznia nuk gabon dhe mban nivelin e lojërave që ka bërë në ndeshjet me Tiranën dhe Laçin në transfertë. Duhet të jetë më pragmatiste në vazhdimësi. Problemin më të madh e kanë te finalizimi dhe këtu duhet të bëjnë më tepër.


Rruga më e lehtë për Europën është mes kampionatit apo Kupës?

Unë e shikoj gjithçka të hapur në të dyja frontet për Vllazninë, si në kampionat dhe në Kupë.


Të shtunën luajnë në transfertë ndaj Partizanit, si e shikoni këtë sfidë?

Është një ndeshje tepër e fortë, me një kundërshtar që duhet vlerësuar maksimalisht. Do të jetë një përballje e vështirë për Vllazninë.


I ka mundësitë Vllaznia të marrë maksimumin ndaj një rivali që po kalon formë të mirë në javët e fundit?

Pa diskutim që i ka mundësitë të marrë maksimumin, pavarësisht që do të kemi përballë një skuadër si Partizani, që është totalisht ndryshe nga viti i kaluar.

Barazimi mund të quhet një rezultat i kënaqshëm për Vllazninë?

Deri diku po. E rëndësishme është që të merret fitorja, sepse mund të thellohet diferenca me kryesuesen. Megjithatë, në ndeshje të tilla me kaq rivalitet, në fund është më mirë të marrësh një pikë, sesa të dalësh pa gjë fare.


Si një ish-mbrojtës që keni luajtur për të dyja skuadrat, çfarë ka mbetur te të dyja klubet nga koha që ju keni luajtur?

Nga ajo kohë i ka mbetur konkurrenca e madhe për të arritur objektivat, por ajo që u mungon jashtëzakonisht është tifozllëku aq i zjarrtë dhe tepër i dashur që kanë këto dy skuadra të mëdha.

Ju personalisht ku e shikoni Vllazninë në fund të sezonit?

Dëshira dhe mundësitë janë dy gjëra të ndryshme. Te dy objektivat janë të mundshëm, por Kupa ka rrugën më të shkurtër që të çon te suksesi. Por, e theksoj që Vllaznia duhet të luftojë për të bërë të mundur përsëritjen e fitimit të Kupës, e pse jo për t’i shkuar deri në fund titullit, që mungon prej 21 vitesh në qytetin tonë.