Partizani nuk njeh fitore që prej rreth 2 vitesh në përballjet me Vllazninë, por këtë fundjavë skuadra e Dritan Mehmetit do të kërkojë revanshin.
Të kuqtë që në korrikun e 2020-ës mundën shkodranët 3-0, që prej asaj sfide nuk arrijnë të dalin triumfues dhe kanë siguruar 3 barazime dhe 4 humbje ndaj kuqebluve në 7 përballjet e fundit. Gjithsesi, statistikat anojnë dukshëm në krahun e të kuqve në gjithë historikun e përballjeve mes dy skuadrave.
165 ndeshje në total, Partizani kryeson me 72 fitore ndërsa Vllaznia numëron vetëm 49 dhe 41 janë mbyllur në barazim. Partizani nuk gjen suksesin në dy sezonet e fundit ndërsa në dy përballjet e para të këtij sezoni, Vllaznia barazoi fillimisht në transfertë dhe u imponua 1-0 në muajin dhjetor me gol të Lirido Latifit.
215 gola të shënuar nga të kuqtë në portën e shkodranëve në të dyja kompeticionet, kupë dhe kampionat, ndërsa skuadra veriore e ka ndalur topin në rrjetën e kryeqytetasve në 154 raste.
Këtë të shtunë në orën 16:45 në Arenën Kombëtare, Partizani dhe Vllaznia rikthehen në përballjen e 166 të historisë, një tjetër sfidë e rëndësishme që do të vendosë jo pak për fatet e sezonit të dy skuadrave.