Xhani de Biazi, ishtrajneri i Kombëtares shqiptare, që shkroi historinë me fanellën kuqezi, ka dhënë së fundmi një intervistë speciale për “Tuttomercatoweb”, ku ka analizuar ecurinë e skuadrave të Serisë A deri tani.

65-vjeçari gjithashtu ka dhënë një koment edhe për Shqipërinë e Edi Rejës, duke u ndalur te njeriu i momentit, Armando Broja, si dhe te Marash Kumbulla. Ai me batutë perifrazoi edhe kthimin e mundshëm te kuqezinjtë, por për momentin ia ka lënë të riut… Reja.

SHQIPËRIA DHE BROJA- “Pa dyshim e them me sinqeritet, Shqipëria ka një bazë të mirë me të cilën të mund të punojë, ku ka mbërritur Edi dhe po bën një punë të mirë. Në të njëjtën kohë i kanë shpërthyer disa lojtarë si edhe vetë Kumbulla, i cili është një lojtar i ri dhe me perspektivë.

Broja është një lojtar i cili me siguri ka cilësi, dhe pak ditë më parë i shënoi Totenhemit të Kontes. Ai është një futbollist i cili e sheh portën. Po luan pak me Kombëtaren shqiptare në krahasim me atë që pret ai. Por, njëkohësisht mendoj se ka kohën e duhur për të ndërthurur lojën dhe për t’i dhënë peshën dhe vlerësimin e duhur”, u shpreh fillimisht ish-trajneri i Kombëtares.

BATUTA ME EDI REJËN

I ngacmuar nga gazetarët e “tuttomercatoweb” për faktin që Broja nuk po luan rregullisht me Kombëtaren, ata i thanë se kjo punë zgjidhet kur pas 3-4 vitesh De Biazi të rikthehet sërish trajner i Shqipërisë… “Fundja ti je mik me Armand Dukën dhe kjo gjë mund të ndodhë”, ishte batuta e gazetarëve. Ndërkaq, De Biazi u përgjigj me humor: “Unë mund të bëj edhe drejtorin teknik, por për momentin ua kam lënë radhën të rinjve si Edi Reja…(qesh)”.

SERIA A “Është pa dyshim një kampionat emocionues. Për mua Interi është skuadra më e fortë deri tani, edhe pse më pëlqejnë shumë Milani dhe Napoli dhe në të njëjtën kohë shoh një Juventus të rifutur në garë. Megjithatë, jo për të fituar titullin. Me Atalantën, megjithatë, i pashë mirë, ata morën një djalë përpara që ka forcë dhe sasi, di të shënojë shumë gola dhe merr përgjegjësi nga Morata dhe Dibala”.

ITALIA “Fatkeqësisht, e paguam shtrenjtë mungesën e fitores kundër Zvicrës. Mançini ka bërë një punë të madhe me një kombëtare që nuk është më e mira për sa i përket teknikës, por që mund të jetë një grup i fortë. Pengesat do të jenë të vështira, të dyja. Nuk është e garantuar që mund ta mposhtim Maqedoninë, duhet të përgatitet mirë pa menduar se tashmë kemi kaluar në raundin tjetër”, vijoi De Biazi.

AZERBAJXHANI

“Unë absolutisht duhet të jem këtu (në Baku) sepse lojtarët e ekipit kombëtar janë pothuajse të gjithë në kampionatin vendës. Unë ndjek disa seanca stërvitore dhe të gjitha ndeshjet me stafin tim. Në mars do të kemi shansin të kemi dy miqësore para Ligës së Kombeve në qershor”, përfundoi Xhani de Biazi.