As shtyrja e kampionatit nuk sjell paqe në Shkodër. Shpresohej që ndërprerja e aktivitetit të sillte rikuperimin e të dëmtuarve, por kjo nuk ka ndodhur.

Të paktën kjo u pa dje, në seancën e parë stërvitore të kësaj jave. Pas pushimit të së shtunës, Mirsad Jonuz priste një grup më të plotë nën urdhra. E megjithatë, lajmet nga infermieria nuk kanë qenë aspak të mira. Ardit Krymi, Filip Gligorov dhe Emerson Brito dos Santos nuk kanë dalë në fushë gjatë paradites.

U bë një kohë e gjatë që janë jashtë, por as kjo javë që kishin në dispozicion nuk ka ndikuar në riaftësimin e tyre. Por, shpresat nuk janë shuar tërësisht. Stafi mjekësor po punon intensivisht që ata të jenë gati për këtë fundjavë, kur luhet java e 14-të e Kategorisë Superiore. Siç dihet, Vllaznia do të luajë një ndeshje realisht delikate në Gjirokastër.

TAKTIKA

Përballë Luftëtarit me mungesa, gjithçka do të bëhej më e vështirë për stafin teknik. Trajnerit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të “lutet” që ata të kthehen një orë e më parë me grupin, pasi vetëm kështu mund të fillojë të punojë për ndërtimin e formacionit. E diela ia prishi planet, pasi ai e kishte menduar ndryshe programin e ditës. Ai ka planifikuar që gjithë këtë javë ta vendoste në funksion të taktikës duke provuar disa manovra loje, si sulmuese ashtu edhe mbrojtëse.

Por me tre elementë më pak në organikë, ia kanë bërë gati të pamundur. Nëse edhe sot ata nuk dalin në fushë, atëherë maqedonasi do kalojë te plani “B’. Pra, do të përgatisë strategjinë duke mos llogaritur lojtarët e dëmtuar. Pjesa tjetër e grupit është e gjitha gati dhe pa probleme dhe fatmirësisht nuk ka asnjë lojtar të pezulluar prej kartonëve. E vetmja mungesë do të jetë ajo e brazilianit Hygor Guimaraesh, i cili ka kërkuar leje edhe për 4 javë të tjera. Ai pritet të kthehet vetëm gjatë janarit, gjithnjë nëse nuk del ndonjë surprizë rrugës.

LLOGARITË

Vllaznia nuk dëshiron të futet në vorbullën e mbijetesës, ndaj me çdo kusht do të tentojë fitoren këtë të shtunë. Dhe që t’ia dalë, duhet të gjejë fillimisht golin. Sikur të mos mjaftonte fakti që nuk kanë fituar, në 4 ndeshjet e fundit nuk e kanë gjetur asnjëherë rrjetën. Një shqetësim më vete ky, ndaj gjatë ditëve do të punohet ndjeshëm për të përmirësuar shënjestrën e munguar.