FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREPrag Laçi, Vllaznia 'përqendrohet' tek prapavija

Prag Laçi, Vllaznia ‘përqendrohet’ tek prapavija

Shkruar nga Gjergj KOLA

Mbrojtja, alarmi i parë për Vllazninë. Ky është shqetësimi kryesor i kuqebluve në këtë start kampionati, teksa pas tri javëve të para shifrat flasin qartë. Vllaznia ka pësuar gjashtë gola në tri ndeshje, duke mos arritur në asnjërin prej tyre të mbajë portën e paprekur. Një statistikë që e vendos repartin defensiv si pikën më të dobët të skuadrës në këtë fillim sezoni.

Pavarësisht se në aspektin e lojës Vllaznia nuk ka dhënë sinjale për një skuadër të dobët, problemet në prapavijë kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet e marra. Kuqeblutë kanë arritur të shënojnë në të tre ndeshjet e para, duke treguar se në fazën sulmuese kanë elementët për të krijuar dhe finalizuar aksionet. Por ekuilibri mes dy reparteve ka munguar dhe golat e pësuar kanë zbehur jo pak atë që ekipi ka prodhuar në fazën ofensive.

Pikërisht për këtë arsye, trajneri Edi Martini dhe stafi teknik kanë rritur ndjeshëm vëmendjen ndaj repartit të prapavijës gjatë seancave të fundit stërvitore. Fokusi ka qenë te korrigjimi i gabimeve të evidentuara në tri takimet e para, por edhe te përmirësimi i koordinimit mes mbrojtësve. Vetë Martini është marrë personalisht me pozicionimin e lojtarëve të prapavijës dhe me detajet taktike që lidhen me mënyrën se si duhet të mbrohet skuadra.

Në fakt, problemi nuk lidhet vetëm me cilësinë individuale të mbrojtësve, por edhe me organizimin kolektiv. Distancat mes reparteve, mbulimet, reagimi në momentet e tranzicionit dhe përqendrimi në situatat kur kundërshtari sulmon, janë disa prej elementëve ku kërkohet përmirësim. Trajneri Martini kërkon një skuadër më të ekuilibruar, që të mos mbështetet vetëm te forca në sulm, por të jetë po aq e sigurt edhe në prapavijë.

Korrigjimi i mbrojtjes është tashmë prioriteti i momentit për kuqeblutë. Nëse faza ofensive ka dhënë shenja pozitive, me Vllazninë që ka gjetur rrugën e rrjetës në çdo ndeshje, sfida e radhës është të mos lejojë që puna e bërë përpara të zhbëhet nga golat e pësuar. Një skuadër që synon objektiva të rëndësishëm gjatë sezonit duhet të gjejë sa më shpejt këtë ekuilibër.

Dhe përgjigjen e parë për këtë punë të bërë në stërvitje do ta japë fusha. Ndeshja e kësaj jave ndaj Laçit do të jetë një tjetër test për prapavijën kuqeblu. Mbetet për t’u parë nëse korrigjimet e ditëve të fundit do të reflektohen në ndeshjen zyrtare dhe nëse Vllaznia do të arrijë më në fund të mbajë portën e paprekur. Për Martinin, tashmë nuk mjafton vetëm të shënohet: duhet edhe të mos pësohet.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments