Trajneri shkodran Luan Zmijani e shikon më së të mundshëm fitimin e Kupës së Shqipërisë nga Vllaznia. Një nga emrat e dinastisë Zmijani në fushën e futbollit, ka dhënë mendimin e tij për “Shkodra Sport” lidhur me këtë kompeticion.

Ish-mbrojtësi shkodran flet për shanset që kanë shkodranët për ta fituar Kupën e Shqipërisë, ndeshjen ndaj Partizanit, por jo vetëm. Ai është i bindur se ka shumë shanse që të përsëritet suksesi i vitit të kaluar, pra kurorëzimi i Kupës së Shqipërisë.

Sipas Zmijanit, Vllaznia duhet të arrijë maksimumin sidomos në takimin e parë të Kupës së Shqipërisë, por duhet të provojë shanset e saj deri në fund në dy fronte për të arritur Europën, si në Kupën e Shqipërisë, poashtu edhe në kampionat.

Vllaznia këtë sezon – “Unë kam ndjekur të gjitha ndeshjet e ekipit të Vllaznisë dhe të them të drejtën, skuadra ka pasur edhe ndeshje të mira, poashtu edhe jo të mira. Ndeshje zhgënjyese ishte kjo me Egnatian, kurse që më kanë pëlqyer janë ajo me Tiranën në Tiranë barazim, dhe me Laçin në Laç.”

Gjysmëfinalja Partizani-Vllaznia – “Janë dy takime që duhet pasur shumë kujdes. Mendoj se do t’i kalojmë me sukses dhe ne do të jemi në finale.”

Shanset e Vllaznisë që të jetë fituese – “Duhen marrë me rradhë ndeshjet dhe të mos bëjmë gabime, siç bëmë në kampionat në takimin e fundit ndaj Egnatias, sepse Kupa e Shqipërisë nuk të jep mundësi të rikuperohesh në qoftë se gabon, por unë kam besim se kemi shumë shanse që ta përsërisim suksesin.”

Mrekulli për Shkodrën nëse fitohet Kupa për të dytin vit rradhazi – “E thashë edhe më parë që, asgjë nuk është e pamundur, vetëm duhet shumë kujdes, që të bëhet realitet një mrekulli e tillë.”

Çfarë pritet nga ndeshja kundër Partizanit – “Mendoj se stafi teknik me në krye trajnerin Plori, duhet të ketë punuar shumë për të përgatitur këtë sfidë dhe të arrijë maksimumin në takimin e parë. Duhet të luajnë me shpirt dhe të besojnë se mund ta arrijnë një gjë të tillë.”

Vllaznia renditet 20 pikë pas kreut të renditjes – “Në ndeshjet e fundit të Vllaznisë, nuk ka pasur lojëra cilësore dhe si pasojë nuk janë marrë pikët e plota. Ndërkohë, Tirana e ka shfrytëzuar mjaft mirë këtë gjë dhe ka arritur të bëjë këtë diferencë ndaj të gjithëve.”

Zona europiane për Vllazninë – “Mendoj se është pjesa më e vështirë, sepse ndodhemi në një situatë, ku duhet të luftojmë në dy fronte për të arritur Europën, si në Kupën e Shqipërisë, poashtu edhe në kampionat. Në Kupën e Shqipërisë, me 270 minuta të suksesshme mund të arrijmë objektivin”,-mbylli prononcimin e tij, ish-trajneri i Vllaznisë, shkodrani Luan Zmijani.
Maringlen ZHIVANI