Vllaznia ka mbyllur sot ditën e fundit të përgatitjeve për përballjen e rradhës ndaj Flamurtarit, e cila do të luhet për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë.

Faktikisht, me kuriozitet pritet të zbulohet formacioni që do të vendosë në fushën e lojës trajneri Thomas Brdariç, teksa ky i fundit ka akoma dilemat e tij në prag të kësaj sfide. Për në portë ka dilema dhe ka një balotazh mes dyshes Zogoviç-Qarri.

Portieri Zogoviç ka qenë një nga pikat më të forta të Vllaznisë, jo vetëm në sezonin e shkuar, por edhe në aventurën europiane, madje edhe në këtë sezon ka treguar paraqitje të mira me skuadrën shkodrane.

Ndërkohë, edhe 21-vjeçari Qarri ka kohë që është pjesë e Vllaznisë, titullar dhe kampion me Akademinë U-19 dhe më pas edhe me Vllazninë U-21, ndërkohë që është sistematikisht pjesë e të gjitha kombëtareve të moshave.

Debutimin e tij, Qarri e bëri në një sfidë të fortë dhe të rëndësishme, siç ishte ajo me Kukësin, teksa ia doli me sukses të bëjë një 90-minutësh ideal. Kristi Qarri është një portier me të ardhme dhe padyshim që me kalimin e kohës, do të marrë edhe ai minutat e duhura dhe ndoshta një alternativë për nesër, mund të jetë edhe 21-vjeçari.

Te Vllaznia synojnë që të bëjnë kthesën në Vlorë, ndonëse me disa lojtarë që mungojnë, të cilët kanë problem dëmtimi. Me interes, mbetet për t’u parë nesër në Vlorë ndaj Flamurtarit, formacioni me të cilin do të luajë trajneri gjerman Thomas Brdariç
Maringlen Zhivani