Shqipëria do të luajë pas pak ditësh dy nga ndeshjet më të rëndësishme kualifikuese për në Europianin e 2024, aty ku do të udhëtojë drejt Çekisë e më pas do të presë në shtëpi Poloninë.
Kuqezinjtë do të kenë një mbështetje të madhe në transfertën çeke, teksa në “Air Albania”, do të luhet në një stadium të tejmbushur. Të gjitha biletat për ndeshjen përballë Polonisë, tashmë janë shitur dhe lajmi është konfirmuar nga vetë Federata Shqiptare. Megjithëse çmimet ishin më të larta në krahasim me ndeshjet e tjera që janë zhvilluar, kjo gjë nuk i ka penguar tifozët që të blejnë të gjitha biletat.
“Të gjitha biletat e vlefshme për ndeshjen Shqipëri – Poloni, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’ janë shitur.
Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të falënderojë të gjithë tifozët shqiptarë që kanë vendosur të jenë të pranishëm në stadiumin ‘Air Albania’ më 10 shtator, në mbështetje të ekipit tonë kombëtar dhe i fton të krijojnë një atmosferë të ngrohtë, pozitive dhe të tregojnë respekt ndaj ekipit kundërshtar.
Njëkohësisht, Federata e Futbollit i bën thirrje edhe tifozëve kuqezi, të cilët nuk kanë mundur të pajisen me bileta për këtë ndeshje kaq të rëndësishme për të gjithë, të vazhdojnë ta përkrahin Kombëtaren e zemrës së tyre.
Të mbështesim kuqezinjtë tanë të gjithë se bashku! ME JU, NE JEMI 12”, shkruhet në njoftimin e FSHF-së.