Ilir Daja nuk është më trajner i Partizanit. Tekniku kryeqytetas pati paralajmëruar largimin menjëherë pas ndeshjes derbi me Tiranën, ku tha se do të bisedojë me drejtuesit për të vendosur për të ardhmen.
Burime për SuperSport konfirmojnë se takimi mes palëve është mbajtur dhe në fund është rënë dakord që trajneri Daja të largohet nga “timoni’ i skuadrës së Partizanit, që do të duhet të gjejë një trajner të ri për vitin e ardhshëm.
Ilir Daja mori drejtimin e Partizanit verën e 2020-ës dhe sezonin e kaluar luftoi deri në fund për titullin kampion, ndonëse më pas e mbylli në vendin e tretë, ndërsa këtë sezon pritshmëritë ishin më të mëdha, por skuadra nuk arriti të shfaqë potencialin në fushë.
Në 15 javët e luajtura për këtë sezon, Partizani ka fituar vetëm 4 ndeshje dhe ka arritur të grumbullojë 18 pikë, 15 më pak se Tirana kryesuese, duke komplikuar rrugëtimin drejt titullit kampion, me ‘të kuqtë’ që tani do të duhet të mendojnë më së shumti për një vend në Europë.







