Juventusi nuk ka shumë që ka fituar Kupën e Italisë, dhe në klubin bardhezi sot përcillet një lajm tronditës. “Zonja e Vjetër” ka njoftuar poblikun se trajneri i tyre, Masimiliano Alegri është shkarkuar nga stoli i ekipit torinez, dhen uk do të jetë më trajneri i tyre. Shkaqet për këtë gjë duket të jenë sjelljet jo etike të italianit pas ndeshjes me Atalanten:

“Juventusi komunikon se ka shkarkuar nga detyra e trajnerit të ekipit të parë të meshkujve Masimiliano Alegrin. Shkarkimi vjen si pasojë e disa sjelljeve të kryera gjatë dhe pas finales së Kupës së Italisë, që klubi ka cilësuar si në mospërputhje me vlerat e Juventusit dhe me sjelljen që duhet të mbajë kush e përfaqëson.

Përmbyllet një periudhë bashkëpunimi e nisur në 2014, e rinisur në 2021 dhe e mbyllur pas tre sezoneve të fundit bashkë, me një finale të Kupës së Italisë. Klubi i uron Masimiliano Alegrit fat në projektet e tij në të ardhmen”, shkruhej në komunikatën e klubit italian.

Tashmë pritet emri i trajnerit që do të marrë drejtimin e bardhezinjve në dy javët e fundit, me Paolo Monteron i cili mund të gradohet përkohësisht nga drejtimi i ekipit U19. Sa i përket të ardhmes, prej kohësh flitet se Juventusi ka një akord me Tiago Motën, për t’i besuar këtij të fundit drejtimin e ekipit.