Real Madrid ka bërë një lëvizje shumë të rëndësishme për të ardhmen e klubit spanjoll, madrilenët kanë bërë të ditur se kanë nënshkruar me futbollistin 18-vjeçar japonez, Takefusa Kubo, i cili vlerësohet nga shumëkush i një nga talentet e mëdhenj të së ardhmes.
Lojtari i cili njihet nga të gjithë si “Mesi japonez”, ishte prej kohësh në bisedime me klubin madrilen, i cili sot siguroi transferimin e tij nga FC Tokio. Në njoftimin e klubit bëhej e qartë se ai fillimisht do t’i bashkohej Kastijas, ekipi të dytë të Realit, e më pas do të bëhej pjesë e skuadrës së parë.
Kjo ishte një goditje rëndë për Barcelonën, pasi futbollisti kishte kaluar te “La Masia”, akademia e famshme e katalanasve, kur kishte qenë 10 vjeç. Por më pas atij iu desh të kthehej në Japoni si pasojë e sanksionit që mori Barcelona për nënshkrimin me të mitur dhe mes palëve u arrit në një akord paraprak që ai të kthehej kur ishte 18-vjeç të cilat Kubo i mbushi më 4 qershor.
Sipas mediave japoneze, Kubo refuzoi ofertën e Barcelonës për t’iu bashkuar ekipit B të saj, ndërsa kërkohej edhe nga Mançester Siti, Bajern Mynih dhe PSG. Në fund, ai zgjodhi Realin, për të ndjekur rrugën e një prej idhujve të tij, Zinedin Zidan. Lojtari është i grumbulluar me përfaqësuesen e Japonisë e cila merr pjesë si e ftuar në Kupën e Amerikës. /vipsport/