Ditën e sotme u mbaj edhe ceremonia e gradimit të sportistëve elitarë me gradën colonel. Kryeministri Edi Rama e cilësoi si një ditë të veçantë këtë të sotmen, pasi shumë sportistë si atletë, peshëngritës, xhudistë e të tjerë morën gradat e tyre.

Mes shumë emrave si Luiza Gega, Erkand Qerimaj, Briken Calja, Alban Beqiri, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi që ishin të pranishëm në këtë ceremoni mungoi një prej tyre. Daniel Godelli, i cili ka reaguar i zhgënjyer dhe i habitur për “harresën” e tij. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, peshëngritësi shqiptar nënvizzoi se për shkak të të gjitha mendaljev, plot 50 që i ka sjellë Shqipërisë e meritonte të merrte vlerësimin e tij. Por vallë a e dinë ata se kush është Daniel Godelli?!, ishte pyetja mes shumë të tjerave që listoi sportisti.

“Marr shkas nga ceremonia e dekorimit të 7 sportistëve “Elitar” si pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, po shikoja sot kudo në TV, nderimin që i bëhet sportit dhe realisht u gëzova shumë që më në fund sporti po arrin të marri vlerat e duhura, pak vonë por më mirë vonë se kurrë!

Bashkë me gëzimin që përjetova për kolegët e mi të cilëve ua di vuajtjet sepse jemi bashkë në këtë rrugë prej vitesh kush më lart e kush më poshtë në rezultate, përjetova edhe një trishtim! Shteti im, atdheu ku unë u linda, u rrita dhe nuk u largova edhe pse ofertat ishin të pafundme, më kishte harruar? Pse vallë? A nuk e di shteti im se kush jam unë? A nuk e di shteti im që unë Daniel Godelli i kam dhuruar atëdheut tim mbi 50 medalje!

Flasim këtu për medalje ari, argjendi e bronzi! Besoj se shteti im nuk e ka harruar që unë jam i vetmi kampion bote në dygarësh që Shqipëria ka deri më sot për 20 vjeçarët! Unë jam po ai sportist si disa nga kolegët e mi aty në podiumin e nderit sot që kemi pasur një problematik me dopingun, por ndryshe nga ata unë e provova që isha i pafajshëm dhe kurrë nuk heshta për të treguar që dopingu nuk ishte zgjedhje e imja, por e të tjerëve!

Gjithsesi unë dënimin e vuajta të plotë, dhe u riktheva në 2017 si kampion i Europës në stilin e shkëputjes. Ua provova edhe një herë që unë rezultatet i kisha të arritura me gjak e me shpirt dhe ajo që ndodhi ishte kurban i lojërave të pista në kupolën e federatës që jo pak sportistë të shteteve të ndryshme e deklaruan, dhe e faktuan edhe me një libër të botuar! Gjithësesi pak rëndësi ka kjo tani çdo gjë kaloi dhe unë u riktheva sërisht me mundësit e mia si kampion i europës sikurse e përmënda më lart!

Ndjej një keqardhje shumë të madhe sot që shteti im më harroi!

Janë të shumtë kufomat që vijne vërdallë dhe më pëshpërisin në vesh që nuk ka rëndësi që ti Daniel ke sjell 50 medalje për Shqipërinë, rëndësi ka të lidhesh si këpushat pas ndonjë pushtetari ti bësh lavde e këngë e më pas ai për lëmoshë të të shpërblej me ndonjë dekorim!

Unë mendoj, besoj dhe gjykoj që i tejkaloj kriteret që Republika e Shqipërisë ka vendosur për të më cilësuar si sportist Elitar!

Unë dua të besoj që kjo që sapo ndodhi ishte thjeshtë një harresë dhe një neglizhencë nga ngarkesa e madhe e njerëzve që u morën me plotësimin e kësaj liste, edhe pse nuk mund të harrohet një sportis si Daniel Godelli që ka që nga viti 2006 që i sjell medalje Shqipëris sonë të bukur!

Jam në pritje të korigjimit sa më shpejt të kësaj harrese që ka ndodhur kundrejt 50 medaljeve të mia, Ballkanike, Europian dhe Botërore nga Institucionet përkatëse.

Për dijeni, pas 10 ditësh zhvillohet kampionati europian në Armeni, dhe kjo që sapo ndodhi më jep shumë forcë dhe guxim për të garuar atje! Faleminderit!”, ka shkruar peshëngritësi shqiptar.