Shqipëria e vajzave do të luajë të premten e 7 prillit një ndeshje miqësore kundër përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut. Në kuadër të kësaj sfide, ekipi kuqezi i vajzave, të drejtuara nga trajneri Armir Grima zhvilluan pasditen e djeshme seancën e parë stërvitore. Sakaq, këtë të enjte, skuadra zbriti sërish në fushë për të bërë përgatitjet e fundit në prag të sfidës me Maqedoninë e Veriut.

Pjesë e kombëtares për këtë ndeshje do të jeteë edhe shkodrania Armera Tukaj e cila siç dihet, është pjesë e ekipit të Apolonisë ku është dalluar për lojën dhe paraqitjet e saj dhe jo më kot trajneri Grima e ka ftuar në kombëtare.

Mbrojtësja kuqezi, Armera Tukaj pohon se atmosfera në grupin kuqezi është shumë e mirë përpara ndeshjes me Maqedoninë e Veriut. “Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Vajzat i kemi mirëpritur ashtu siç ne dimë t’i mirëpresim”.

Miqësorja e nesërme? – “Maqedonia e Veriut nuk është një kundërshtare as e lehtë, as e vështirë. Por ne kemi mësuar që çdo rival është i barabartë. Ne do hyjmë në fushë me synimin që të paraqitemi sa më mirë dhe rezultati të jetë sa më pozitiv. Fokusi ynë në këtë ndeshje është që të paraqitemi mirë dhe të luajmë si një ekip i bashkuar. Në fund do të vijë edhe goli” – thotë Armera, e cila flet edhe se sa i ka shërbyer skuadrës grumbullimi në muajin shkurt.

“Grumbullimi që bëmë në fillim të vitit ishte shumë intensiv. Ishte si një fazë përgatitore në prag të kësaj ndeshje miqësore. Jemi përmirësuar shumë dhe kjo miqësore kundër Maqedonisë do të jenë edhe rezultat i atyre stërvitjeve intensive që ne zhvilluam në muajin shkurt”– përfundoi Armera Tukaj për fshf.org.