U zhvillua në Federatën Shqiptare të Futbollit mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv. Nën drejtimin e Presidentit Armand Duka, Komiteti Ekzekutiv ka diskutuar në lidhje me disa çështje të rëndësishme të përcaktuara në rendin e ditës si dhe ka miratuar disa propozime.

Komiteti Ekzekutiv i FSHF është njohur me raportin e komisionit të futbollit të femrave, ku është analizuar në detaje situata dhe ecuria për vitin 2018. Futbolli i femrave ishte edhe pika e parë e rendit të ditës, duke qënë një nga shtyllat më të rëndësishme të strategjisë 2018-2022 të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Procesi i licensimit të klubeve për sezonin 2019-2020 ishte një tjetër temë diskutimi e kësaj mbledhjeje, ku antarët e Komitetit Ekzekutiv u njohën me planin e veprimit të hartuar nga Komisioni i Licensimeve në FSHF. Në këtë mbledhje Komiteti Ekzekutiv miratoi edhe raportin vjetor të komisionit të mjekësisë sportive.

Në fund, Komitetit Ekzekutiv i FSHF, ka miratuar propozimet për dekorime të figurave të shquara të futbollit shqiptar, të cilat shpallen në festën tradicionale të fundvitit.