Vllaznia nuk ka ndër mend të kërkojë arbitra të huaj për sfidën e së shtunës ndaj Tiranës. Pavarësisht zërave që kanë qarkulluar ditët e fundit, klubi shkodran mbrëmjen e sotme ka konfirmuar zyrtarisht faktin se nuk ka ndër mend të bëjë një kërkesë të tillë dhe ka shprehur bindjen e plotë se FSHF dhe njerëzit e saj që merren me përzgjedhjen e arbitrave do të zgjedhin njerëzit e duhur për të vendosur drejtësi në këtë takim shumë të rëndësishëm. Ja çfarë thuhet në njoftimin e klubit kuqeblu: Klubi i Futbollit Vllaznia bën të ditur se për asnjë moment nuk ka bërë asnjë kërkesë zyrtare në FSHF për arbitra të huaj për ndeshjen shumë të rëndësishme të kësaj jave ndaj Tiranës. Në këto rrethana, institucioni i futbollit shqiptar ka aprovimin e klubit tonë për përzgjedhjen e arbitrave më të mirë që do të arbitrojnë në këtë ndeshje. Sigurisht që mbesim me shpresën se Federata dhe njerëzit që merren me caktimin e tyre, të bëjnë zgjedhjen e duhur në mënyrë që çështja e arbitrimit të mos jetë përcaktuese në fatin e këtij 90 minutëshi.

© shkodrasport.com