Erdenis Gurishta në “radarin” e Tiranës. Burime të besueshme pranë lojtarit bëjnë me dije për Newsport.al që drejtuesit bardheblu kanë pasur një bisedë me kapitenin e Vllaznisë.

Por, kontrata me shkodranët mbetet problem që ai t’i bashkohet kampionëve të Shqipërisë. Prej kohësh, në kampin kryeqytetas kanë shprehur hapur pëlqimin për anësorin e djathtë të prapavijës së Vllaznisë.

Edhe pse ky sezon jo më i miri në aspektin personal, padyshim që Gurishta mbetet një nga lojtarët më të mirë të kampionatit shqiptar. Të njëjtat burime tregojnë se pas bisedës telefonike mes tij dhe drejtuesve të Tiranës, në lojë është futur klubi i Vllaznisë. Sipas newsport.al, shkodranët kërkojnë 100 mijë euro që ta lënë 27-vjeçarin të lirë.

Në të tilla kushte aktualisht negociatat mes palëve kanë ngecur. Fillimisht në kampin bardheblu po punohet për rinovimet e lojtarëve që janë në plan për edicionin e ardhshëm futbollistik. Një transferim i mundshëm i Gurishtës në kryeqytet, padyshim që do të rriste cilësinë në repartin difensiv.

Këtë sezon, ai është aktivizuar në 24 ndeshje me Vllazninë duke shënuar edhe 1 gol. Ndryshe nga edicioni i shkuar, atij iu desh të improvizonte mbrojtësin e qendrës në mungesë të një të tilli në organikën shkodrane. Eksperienca në kampionatin shqiptar si dhe cilësitë në fushë, do t’i mund t’i jepnin një ndihmë të madhe Tiranës, nëse tratativat do të përfundojnë me sukses. /newsport/